Kastrioti humb titullarin e mbrojtjes për një muaj. Dy pezullime dhe një rikthim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2022 | 21:54

Kastrioti humb titullarin e mbrojtjes për një muaj. Dy pezullime dhe një rikthim

Adolf Selmani bën me dhimbje koke trajnerin Emiljano Çela. Qendërmbrojtësi, i cili u rikthye te Kastrioti pas eksperiencave me Laçin dhe Teutën, ka pësuar një dëmtim në fundin e pjesës së parë në ndeshjen ndaj durrsakëve. Selmani sakrifikoi gati 10 minuta dhe më pas në pjesën e dytë mbeti në dhomat e zhveshjes. Dëmtimi në kavilje e pengonte atë të luante dhe tani mësohet se do të duhet të qëndrojë katër javë jashtë fushave të blerta. Një lajm i keq ky për qendërmbrojtësin, i cili konsiderohet si një nga pikat kyçe të krutanëve.

kastriotii-750x430

RIKUPERIMI – Selmani nuk ka humbur kohë dhe një ditë më parë ka fluturuar drejt Torinos, ku do të kryejë vizita të tjera të detajuara dhe do të bëjë terapi që të rikthehet sa më shpejt në fushën e blertë. Mbrojtësi do të jetë në kujdesin e doktorit të kombëtares shqiptare, Xhanluka Stesina, i cili është edhe pjesë e “J Medical”, klinikës së Juventusit. Në të shkuarën edhe vëllai i tij, Gentiani, ka qenë aty për të kryer terapi apo kontrolle të ndryshme mjekësore.

MUNGESAT E TJERA – Veç Selmanit, te Kastrioti kanë edhe probleme të tjera me mungesat. Indrit Prodani dhe Abaz Karakaçi janë ndëshkuar me kartonë të verdhë në ndeshjen me Teutën dhe nuk mund të luajnë kundër Partizanit. Nga pezullimi rikthehet mesfushori Arbër Basha, i cili në pjesën e parë të sezonit ka qenë titullar fiks dhe ky është lajm i mirë për stafin teknik.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"