Kastrioti ende larg sezonit të kaluar, krutanët kanë 6 pikë më pak se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2021 | 10:24

Kastrioti ende larg sezonit të kaluar, krutanët kanë 6 pikë më pak se vjet

Pas disfatës ndaj Laçit, Kastrioti ka humbur dhe një pozicion në klasifikim, teksa tashmë ndodhet në vendin e 9-të me 4 pikë të grumbulluara. Po ta krahasosh me sezonin e shkuar, pas javës së 6-të, krutanët kishin grumbulluar 10 pikë, ndërsa ende nuk kishin pësuar asnjë humbje.

kastrioti

Ky kampionat pritet që të jetë edhe më i vështirë për skuadrën e Ramazan Ndreut, pasi edhe ekipet në dukje janë më të forta se vjet. Gjithsesi, krutanët kanë besim se në javët në vijim të vijnë edhe rezultatet, pasi në ndeshjet e fundit, ndonëse janë marrë vetëm katër pikë, skuadra ka zhvilluar lojëra mjaft të mira.

Gjatë këtyre ditëve të para të javës, krutanët janë stërvitur normalisht, ndërsa me grupin janë bashkuar edhe një pjesë e lojtarëve që kanë pasur dëmtime të lehta në javët e fundit. I vetmi që vijon të mos stërvitet është qendërmbrojtësi Enes Isufi, i cili së fundmi ka pësuar një dëmtim në kavilje. Kastrioti do të luajë në transfertë të dielën, teksa do të përballet me Teutën në fushën asnjanëse të Rrogozhinës.

STATISTIKAT – Kastrioti dhe Teuta janë përballur plot 30 ndeshje mes tyre në kampionat dhe kupë. Në këto takime, Teuta dominon dukshëm, pasi ka fituar 16 përballje kundrejt 7 të Kastriotit. Shtatë ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. Fitorja më e thellë e Kastriotit është 3-0, ndeshje e zhvilluar më 30 prill 2010. Ndërsa Teuta fitoren më të thellë e ka regjistruar më 12 nëntor 2020, një ndeshje e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ku “djemtë e detit” triumfuan me shifrat 5-0.

BUJAR BALLIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"