Kapiteni i Luftëtarit kalon dëmtimin, Isufi sfidon të shkuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 22:22

Kapiteni i Luftëtarit kalon dëmtimin, Isufi sfidon të shkuadër

Luftëtari merr një lajm të mirë para ndeshjes me Vllazninë, që do ta luajë nesër në Shkodër në orën 16:00.

luftetari partizani

Kapiteni Donald Rapo, pas terapive intensive në një nga klinikat e kryeqytetit, ka lënë pas dëmtimin në kavilje dhe i është bashkuar menjëherë grupit në stërvitje. Dje skuadra bluzi u stërvit në kompleksin “Lefter Millo” të fshatit Dervician, nga ku trajneri Jorgos Marantas kishte në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve. Stafi teknik ka luksin e përzgjedhjes ndaj Vllaznisë, pasi asnjë lojtar nuk mungon. Tashmë mbetet për t’u parë vetëm nëse Rapo do ta nisë titullar apo nga stoli.

Mbrojtësi – 19-vjeçari shkodran, Enes Isufi, u bë pjesë e Luftëtarit në merkaton e verës. Ai luajti si titullar në tri ndeshjet e para, ndërsa në të katërtën ndaj Flamurtarit e nisi nga stoli, për t’u aktivizuar në 45 minutat e dyta. Shtatlarti është produkt i akademisë së Vllaznisë, por në klubin shkodran nuk i dhanë hapësira në ekipin e parë dhe ishte Skënderbeu që e “peshkoi”.

Gjithsesi, prej muajit gusht Isufi është pjesë e bluzinjve dhe shpreson të shpërthejë në Superiore pikërisht me gjirokastritët. “U bëra pjesë e Luftëtarit me qëllim marrjen e sa më shumë minutave në këmbë. Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Këtu ndihem shumë mirë, pasi është kënaqësi të luaj për Luftëtarin. Të luash ndaj skuadrës së origjinës është kënaqësi. Nëse trajneri do të më besojë aktivizimin, do të jap më të mirën në fushë. E rëndësishme është të tregojmë cilësitë tona më të mira ndaj Vllaznisë. Jemi të ndërgjegjshëm se nuk do ta kemi aspak të lehtë. Megjithatë, jemi të vendosur për të marrë më të mirën nga përballja me Vllazninë”, deklaroi qendërmbrojtësi, i cili me Skënderbeun ka luajtur 4 ndeshje në Superiore, ndërsa me Vllazninë vetëm 1 në sezonin 2017-2018.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"