Kapiteni i Kastriotit, Sokol Neziri: E kishim vlerësuar Vorën, ndalim edhe kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 18:34

Kapiteni i Kastriotit, Sokol Neziri: E kishim vlerësuar Vorën, ndalim edhe kryesuesit

Kastrioti i Krujës me fitoren e arritur në transfertën ndaj Vorës, ka hedhur një hap të madh për shmangien e zonës së rënies nga kategoria. Krutanët në këtë ndeshje kanë treguar nivel dhe përgjegjësi, sidomos në fraksionin e dytë, kur mundën me përmbysje ekipin nga kryeqyteti.

vora kastrioti

Sokol Neziri, i vetmi autokton, këtë sezon është rikthyer tek ekipi vendlindjes pas aventurës me Flamurtarin. Neziri, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te krutanët, numëron 23 ndeshje për Kastriotin këtë sezon dhe në të gjitha takimet e luajtura është dalluar për shpirtin e garës. Ai ka arritur të shënojë tre gola. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, për kthimin te fitorja në ndeshjen ndaj Vorës, Neziri u shpreh: “E kishim vlerësuar ndeshjen ndaj Vorës.

Në pjesën e parë nuk ishim aty ku duhet, por në të dytën luajtëm më lirshëm. Na duhej kjo fitore për t’iu larguar fundit të tabelës, por edhe për të qenë më te qetë në ndeshjen në vazhdim, pasi çdo ndeshje që vjen, bëhet më e vështirë. Të gjitha ekipet po luftojnë për objektivat e tyre. Në ndeshjen e radhës presim Elbasanin kryesues dhe po përgatitemi për të marrë maksimumin. Edhe pse ata janë kryesues e të shkëputur me pikë, ne do të bëjmë lojën tonë”, përfundoi Neziri.

SHKELQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"