Kaosi në Laç, Plaku: Arbitri me mision, ja si binda ekipin të mos tërhiqej

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2018 | 23:11

Kaosi në Laç, Plaku: Arbitri me mision, ja si binda ekipin të mos tërhiqej

Sebino Plaku ka përjetuar një nga ndeshjet më të çuditshme në Laç. Kapiteni i Kamzës, përveçse iu desh të provonte në lëkurë një arbitrim që la shumë për të dëshiruar, në një moment ishte edhe mes dy zjarreve, ku presidenti Naim Qarri u kërkoi shokëve të skuadrës që të braktisnin fushën e lojës. Në një intervistë të dhënë për “Supersport” ndaj gazetarit Erald Kodheli, Plaku thotë se ishte ai me trajnerin Ndreu që bindën ekipin që të rikthehej në fushë, ndonëse presidenti sipas tij kishte qenë kundër.

Sebino Plaku

Sa “djeg” kjo humbje e vendosur nga episodet dhe kartoni i kuq, apo pretendimet që patët për një 11- metërsh?

Ishim përgatitur që deri diku të kishte ndikim nga arbitri ky takim dhe trajneri na kishte paralajmëruar, ndaj na tha që të vazhdonim lojën dhe kjo pjesë të na motivonte më shumë. E bëmë që në fillim këtë gjë, por mendoj që kartoni i kuq ishte shumë i shpejtë dhe ndikoi shumë në rezultatin e kësaj sfide.

Përveç kësaj ndikoi edhe në aspektin psikologjik, por edhe në lodhjen e grupit, pasi është shumë e vështirë që të luash për 70 minuta me 10 lojtarë. Siç e parashikuam, deri diku shkoi edhe situata. E vështirë ishte sepse luftuam në 1-0. Dhe dihet që nuk është e lehtë që t’i krijosh vështirësi ekipit kundërshtar me një lojtar më pak. Bëmë maksimumin, ndaj dua që të uroj edhe lojtarët për shpirtin e garës dhe impenjimin që patën.

Çfarë ndodhi pas të kuqit, pasi u krijua përshtypja sikur skuadra do largohej nga fusha. Dhe ishit ju me trajnerin Ndreu, pavarësisht kërkesës së drejtuesve, që vendosët të vazhdonit lojën?

Po, është e vërtetë, por ishte emocionale në fakt edhe prej afërsisë së tribunës me fushën. Shumë afër ishte edhe presidenti. Ishte një moment që ata donin që ekipi ta linte fushën e lojës, pasi po na bëhej padrejtësi dhe po “vritej” gara shumë shpejt. U kthjelluam dhe bashkë me trajnerin dhe pjesën tjetër të stafit, menduam që të vazhdojmë lojën dhe të tentonim mundësinë që kishim.

plaku

Çfarë biseduat me arbitrin Beqiri dhe çfarë ju tha?

Gjyqtari foli për pasojat që do të kishim në rast se do të merrnim atë vendim. Unë isha i detyruar që ta vendosja në dijeni, që ishte një vendim që nuk më përkiste mua, por për derisa presidenti e mendoi tërheqjen e ekipit, edhe mund të ndodhte. Megjithatë, pasi u vendosëm në dijeni të pasojave që do na jepte ai veprim, e rinisëm lojën.

Pesë ndeshje pa fitore, por loja ngroh. Si e komentoni “sprintin” final të Kamzës?

E vërtetë është, të paktën tre ndeshjet e fundit kanë qenë shumë të mira. Jemi të sigurt që gjërat do të ndryshojnë. Gara është e gjatë dhe sikundër e kemi thënë do të luftojmë deri në fund. Pjesa e lojës së mirë dhe lufta sportive ekziston tek ekipi ynë dhe gjendja për fat është shumë e mirë, ndaj kjo na jep shpresë e besim që gjërat do të përmirësohen dhe shumë shpejt do të vijnë edhe rezultatet e mira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"