“Kampionati si test”, trajneri i Kombëtares: Ja pse ky Botëror do jetë më i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 20:12

“Kampionati si test”, trajneri i Kombëtares: Ja pse ky Botëror do jetë më i fortë

Disa ditë më parë në Tiranë u zhvillua Kampionati Kombëtar i Peshëngritjes, që kurorëzoi si sportistët më të mirë të këtij aktiviteti Erkand Qerimajn për meshkuj dhe Shqiponja Brahjan për femra.

Peshengritje-Sokol-Bishanaku-Londer-2016

Tashmë e gjithë vëmendja e shtangës shqiptare do të përqendrohet në Kampionatin Botëror që do të mbahet në shtator në Tajlandë. Ndonëse duhet më shumë se muaj nga ky aktivitet, Sokol Bishanaku, trajneri i ekipit tonë kombëtar, flet për gjendjen e shtangës kuqezi.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për Kampionatin Kombëtar, për Botërorin si dhe komenton gjithashtu edhe luftën antidoping, që po bëhet nga federata ndaj këtij fenomeni.

Disa ditë më parë u mbajt Kampionati Kombëtar. Si ju duk paraqitja e sportistëve?

Normalisht kemi të bëjmë me individë dhe nuk mund t’i përgjithësojmë, aq më tepër që ende jemi në një fazë përgatitore dhe jo në finale, pasi Botërori zhvillohet në shtator.

Por, gjithsesi, mund të them se Erkand Qerimaj tregoi një formë shumë të mirë, Briken Calja kishte forca, por u rezervua, ndërsa Daniel Godelli shfaqi një problem në frymëmarrje. Këto ditë do të kemi edhe një mbledhje teknike ku do të vendoset përfundimisht se cilët sportistë do të marrin pjesë në Botëror.

Pra, mund të them se kampionati i zhvilluar ishte më shumë një test për të parë gjendjen e shtangistëve. Nuk është se kishim ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm, pasi ne kemi pasur edhe rezultate më të mira, por më shumë shërbeu si një garë kontrolli, ku sportistët treguan formën e tyre.

Briken Calja zgjodhi që të mos rrezikonte në Kampionatin Kombëtar, duke u fokusuar më shumë në Kampionatin Botëror. Si do ta gjykoni vendimin e tij?

Është një zgjedhje e drejtë, pasi objektivi kryesor është Botërori, që do t’i shërbejë për të siguruar edhe kualifikimin për në Olimpiadë. Kështu që, nuk mund t’i shkarkosh bateritë në një garë kombëtare kur ke përpara evente kaq të rëndësishme.

Sokol-Bishanaku-Briken-Calja

Shqipëria prej kohësh nuk përfaqësohet me sportiste femra në garat ndërkombëtare. A shikoni aktualisht ndonjë nga vajzat, që është në gjendje për t’u përfaqësuar edhe në arenën ndërkombëtare?

Të them të drejtën, sot për sot, ne nuk kemi asnjë sportiste që mund të arrijë të kualifikohet për në Kampionatin Botëror. E vetmja mënyrë që në të përfaqësohemi aty me shtangiste femra, është që të kemi ndonjë ftesë, pasi asnjë sportiste nuk mund të shkojë aty duke u bazuar në pikët e grumbulluara olimpike. Ndërkohë që, së fundmi, edhe ftesat sa vijnë dhe po reduktohen.

Në shtator do të zhvillohet Kampionati Botëror në Tajlandë. Me çfarë objektivash shkon Shqipëria në këtë aktivitet të rëndësishëm?

Ne shkojmë aty me synimin për të bërë një paraqitje sa më të mirë, në mënyrë që të grumbullojmë sa më shumë pikë të vlefshme për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Ky event mund të them që do të jetë edhe më i fortë se Olimpiada, pasi gjithnjë këto gara, kur bëhen para Lojërave Olimpike, rezultojnë shumë të forta, ku të gjithë synojnë të marrin sa më shumë pikë kualifikuese.

Ndërkohë që, një Kampionat Botëror që mbahet pas Olimpiadës, mund të konsiderohet disi më i lehtë për sa i përket konkurrencës. Gjithsesi, gara mbetet garë dhe gjithçka mund të ndodhë, aq më tepër që duhet parë edhe forma e sportistëve në shtator kur do të mbahet ky aktivitet.

Me ardhjen e presidencës së re, janë shtuar ndjeshëm edhe kontrollet antidoping. Mendoni që diçka e tillë duhej bërë edhe në të shkuarën, duke qenë se po rezulton e suksesshme?

Edhe në të shkuarën nuk është se nuk ka pasur kontrolle, por tani sigurisht që janë shtuar. Kjo sigurisht që është diçka që ka të bëjë edhe me fondet, pasi këto kontrolle kanë kosto të lartë financiare, të cilat mund të shkojnë 300 apo 400 euro për sportist. Megjithatë, unë jam i mendimit se më shumë se kontrollet, duhen vetë sportistët të ndërgjegjësohen nga ana e tyre, të cilët duhet të jenë gjithmonë për të bërë një sport të pastër.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"