Kambana alarmi tek Elbasani, 14 gola të pësuar në 3 ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 20:31

Kambana alarmi tek Elbasani, 14 gola të pësuar në 3 ndeshje

Si të gjitha ekipet e tjera në Shqipëri edhe Elbasani e ka shfrytëzuar këtë periudhë për të kryer sa më shumë ndeshje miqësore. E nëse deri para pak ndeshjesh situata dukej në rregull dhe skuadra po bënte paraqitje të mira, në tri sfidat e fundit kanë dalë në pah disa probleme.

Shkumbini Elbasani

Bëhet fjalë për golat e pësuar. Në 270 minuta lojë verdheblutë kanë pësuar plot 14 gola, afërsisht 5 gola për ndeshje. Një shifër alarmante kjo, për më tepër që përballë kanë pasur dy rivalë të Kategorisë së Parë dhe një skuadër 21-vjeçarësh, ndaj të cilëve pretendohet të mos kenë shumë diferenca midis tyre.

Elbasani pësoi 6 gola ndaj Egnatias, por u duk si një aksident i pakëndshëm dhe që nuk tregonte forcën reale të këtij ekipi. Për të ardhur te përballja me Turbinën, e mbyllur me rezultatin 4-2, teksa tri gola u pësuan me penallti, por gjithsesi nuk mund të shërbejë si justifikim. Ndeshja e fundit ishte ajo e së dielës me Bylisin U-21, ku verdheblutë u mundën sërish 4- 2.

Tri ndeshje këto që mund të shërbejnë si një kambanë alarmi për elbasanasit, të cilët pretendojnë që këtë sezon të mos jenë më në rangun e skuadrave që do të vënë në diskutim qëndrimin në kategori. Ndaj këto ditë para startit të kampionatit, trajneri Lleshanaku duhet të sistemojë disi “kartat” në skuadër dhe të ndryshojë sa të mundet.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"