Kalendar “ferri”, Bylisi beson te kthesa ndaj verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 16:56

Kalendar “ferri”, Bylisi beson te kthesa ndaj verilindorëve

Bylisi, nga dje, ka nisur të mendojë vetëm për ndeshjen e radhës në transfertë me skuadrën e Kukësit. Trajneri Dovedan dhe stafi i tij tashmë kërkojnë nga skuadra që të bëjë kthesën, ndonëse luan me një kundërshtar me pretendime. Në sfidën e parë në Ballsh, Bylisi triumfoi me rezultatin 2-1 ndaj kuksianëve.

Bylis

Ndërkohë, në 12 javë të luajtura në kampionat, ballshiotët kanë vetëm dy humbje dhe koleksionojnë 20 pikë. Situata- Ballshiotët tashmë presin të shikojnë gjendjen e dy mbrojtësve, Ymeralilajt dhe Bicajt, të cilët edhe në fundjavë nuk kanë luajtur në miqësoren ndaj Lushnjës.

Bicaj po shkon drejt rikuperimit, ndërsa për Ymeralilajn pritet që të ketë ekzaminime në ditët në vijim për të përcaktuar masën e dëmtimeve. Nuk dihet nëse do të jetë për lojë nga minuta e parë nigeriani Antoni, që po stërvitet me skuadrën. Eljan Mehmetaj, mbrojtësi 18-vjeçar, është ribërë pjesë e skuadrës së parë pas ndërhyrjes që kreu një vit më parë.

Gjithsesi, organika e Bylisit është e pasur dhe rolet janë të dubluara, ndaj edhe trajneri pritet të marrë masat para ndeshjes zyrtare me kuksianët. Situata duket më optimale për Frank e Qardakun, të cilëve u ka shërbyer kjo periudhë pushimi ashtu si dhe azerbajxhanasit Turabov, që e ka kaluar tashmë dëmtimin, i cili e mbajti për një muaj larg fushave të blerta.

Kalendari- Bylisi ka tri ndeshje delikate, duke filluar që nga kjo fundjavë me Kukësin e një javë më vonë me Partizanin. Por, ballshiotët do të luajnë edhe një transfertë me Flamurtarin. Këto tri ndeshje do të përcaktojnë shumë edhe ambiciet dhe objektivat e Bylisit, që synon të bëjë kthesën ndaj Kukësit, që do të luhet në “Elbasan Arena”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"