Ka ndryshuar 70% të ekipit, Brdariç nuk “ngopet”: Duhen sërish afrime në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 23:31

Ka ndryshuar 70% të ekipit, Brdariç nuk “ngopet”: Duhen sërish afrime në merkato

Thomas Brdariç është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij. Gjermani thotë se shumë shpejt skuadra do të tregojë veten në fushë. Për momentin po punon shumë, ndërsa lojtarët po mësojnë ditaditës.

Brdaric

Numri një i stolit shkodran shprehet se kërkon që lojtarët të kuptojnë gabimet. Është i hapur për merkaton dhe thotë se nëse drejtuesit gjejnë lojtarë me vlerë mund të jetë pjesë e skuadrës. Në fund, Brdariç thotë se ndalesa e kampionatit i ka dhënë një mundësi Vllaznisë të jetë gati për nisjen e sezonit, ndonëse ekipi është ndryshuar 70 për qind.

Si e pa trajneri miqësoren me Tiranën dhe cilat ishin pikat e dobëta dhe të forta të Vllaznisë?

Ishte një mundësi shumë e mirë për të parë pikat tona të dobëta. Pashë në fushë një skuadër të mirë dhe për këtë u kënaqa. Pashë aksione të mira me top dhe kundër kundërshtarit. Kemi lëvizur shumë mirë, por duhet të rrisim përqendrimin dhe të mos bëjmë gabime. Ka edhe segmente ku gabojmë. Mbrojmë shumë mirë. Nga ana e forcës fizike dhe freskisë na duhet shumë punë, por do të përmirësohemi akoma më tepër. Deri para ndeshjes do ë shoh se si do të rritet skuadra dhe lojtarët dhe sa do të jenë gati për të qenë në fushë.

Përgatitjet do të vazhdojnë me këtë grup lojtarësh apo trajneri kërkon afrime të tjera?

E kam thënë gjithmonë. Ne nuk ndalemi për të afruar lojtarë, gjithmonë nëse kemi skauting të mirë. Pra që na paraqitet një lojtar goxha i mirë. Për momentin po punoj me këta lojtarë që kam në Shkodër ta rris edhe më shumë Vllazninë. Jam i sigurt që do të bëjmë mirë dhe do të afrojmë të tjerë futbollistë me vlerë.

Bojkoti i kampionatit ishte një ndihmesë për trajnerin dhe Vllazninë që të jetë gati për startin e sezonit?

Siç e dini ne nisëm punën rreth katër javë më parë. Ishim pak vonë, por po punojmë çdo ditë me profesionalizëm. Po provojmë. Ky është një proces që duhet të përmbushet. Duhet të mësojmë, ndërsa koha që na dha ndalesa na ka ndihmuar. Si lojtarët dhe unë kemi punë. Futbollistët nga ana e tyre duhet të dinë që kur bëjnë gabime duhet të mësojnë prej tyre. Si trajner unë kënaqem që skuadra është më mirë se më parë. Kemi ndryshuar 70 për qind të ekipit, është e vështirë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"