Ka 15 muaj i dëmtuar, ish-portieri i Kukësit tregon dramën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 23:35

Ka 15 muaj i dëmtuar, ish-portieri i Kukësit tregon dramën

Lushnja e nis “play off”-in me Apoloninë. Janë edhe 10 ditë kohë për të përgatitur këtë finale, e cila mund t’ua ndezë edhe më shumë shpresat verdhejeshilëve për elitën. Ibrahim Bejte, ish-portieri i Kukësit, Flamurtarit, Besës, Lushnjës, etj, është i bindur se me një fitore, skuadra e Ilir Gjylës do të rihapte rrugën drejt ngjitjes. 

Portieri

Edhe pse një dëmtim fatal e ka lënë jashtë fushave prej 15 muajsh, ish-portieri në një intervistë për “Panorama Sport”, shpreson që të kthehet sa më shpejt.

Bejte i mungon portës së Lushnjës që nga 23 dhjetori i vitit 2018 dhe për koincidencë, kur në “Roza Haxhiu” luhej kundër Apolonisë. Si kanë qenë këta 15 muaj për ju?

Po, pas kësaj ndeshjeje kam kryer vizita, analiza, kam bërë ndërhyrje dhe rikuperimi nuk po vjen. Shpresoj që një ditë të rikthehem në mes të portës sepse jam në kohë nëse mjekët më lejojnë. Por unë pasionin tim të madh për futbollin e vijoj duke trajnuar portierët e ekipit në Akademinë “Dinamo” që drejtohet nga Artjon Poçi.

 Si e vlerësimi ecurinë e verdhejeshilëve në këto 18 javë? 

Lushnja i bëri një nisje të mirë kampionatit dhe u vu në krye të grupit. Mendoj se dëmtimi i Fatjon Sefës, që është një lider i vërtetë skuadre, ndikoi shumë. Disa pikë më shumë duhet të kishin marrë ndeshjet jashtë fushës. Nga ajo që kam ndjekur unë, Lushnja ka qenë më e dëmtuara nga gjykimet. Rasti i golit që nuk u dha në Pogradec ishte i jashtëzakonshëm. Është edhe efekti i garës treshe, skuadrat i lëvizin pozicionet gati çdo javë.

Është e mundshme ngjitja?

Mendoj se është një garë treshe, që do të shkojë deri në javën e fundit. Edhe kjo ndërprerje për skuadrat pretendente them se do të bëjë mire pasi akumulohen energji. Bëhet fjalë për ndeshje me karakter vendimtar. Lushnja është një skuadër e kompletuar, me lojtarë të përvojës dhe mundësitë janë të mira. Kemi lojtarë që interpretojnë mirë fazën e ndërtimit të lojës. Ekipi luan hapur dhe argëton publikun, që është nga më pasionantët në Shqipëri.

“Play off”-i nis me derbin kundër fierakëve. Si e parashikoni?

Është një derbi historik që ka dhuruar shumë emocione. Kështu ka ndodhur gjithmonë kur jemi ndeshur për të siguruar elitën. Shpresoj shumë që të fitojë Lushnja ime. Mundësitë janë të mëdha, sepse ndeshje të tilla me shumë ngarkesë psikologjike përballohen më mirë nga lojtarët me përvojë. Do Zoti që të fitojë Lushnja dhe të hapet rruga drejt vendit të parë.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"