Joshua Kimish shpreh hapur dëshirën: Flikun e dua te Gjermania

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 0:01

Joshua Kimish shpreh hapur dëshirën: Flikun e dua te Gjermania

Joshua Kimish arriti të shënonte golin e dytë në fitoren 2-0 ndaj Leverkusenit në minutën e 13-të duke i dhënë Bajernit qetësinë për të fituar një trepikësh të rëndësishëm në luftën për titull. Mesfushori gjerman foli pas ndeshjes duke komentuar ecurinë e skuadrës së tij, gjithashtu edhe për të ardhmen e trajnerit Hansi Flik.

FC Schalke 04 v FC Bayern Muenchen - DFB Cup

PËR FITOREN – “Ishte një ndeshje delikate për ne, kur morëm vesh që Lajpcig humbi në Këln, presioni për të fituar u rrit pasi me një fitore do t’i shkonim shumë pranë titullit. Tani gjithçka do të vendoset në ndeshjen në fundjavë ndaj Maincit”.

PËR FLIKUN – “Shpresojë që Hansi të ndërrojë mendje dhe të qëndrojë me ne. Me të kemi fituar shumë duke u bërë një nga skuadrat më të forta në botë. Por, edhe nëse vendos të largohet përfundimisht, shpresoj që ai të vijë te kombëtarja e Gjermanisë. Futbolli gjerman ka nevojë për njerëz si ai për t’u ringritur dhe për t’u rikthyer në majë”.

PËR TITULLIN – “Duam ta fitojmë sa më parë. Sigurisht që objektivat kanë qenë edhe më të mëdha për këtë sezon, por shumë gjëra nuk shkuan ashtu siç i kishim menduar. Në ndeshjet delikate kemi vuajtur mungesat e lojtarëve kryesorë dhe mendoj që ky ka qenë një nga faktorët kryesorë për ecurinë tonë. Por, kemi në dorë titullin kampion dhe duhet të japim maksimumin për ta bërë tonin”.

PËR EUROPIANIN – “Do të kemi kohë për të folur për Europianin. Është një kompeticion, i cili kërkon shumë energji dhe shumë kualitet. Dy gjëra që i kemi si skuadër, por duhet të dimë se si t’i vëmë në punë. Ka ardhur koha që Gjermania të fitojë një kompeticion të rëndësishëm”.

PËR SUPER LIGËN – “Ishte diçka që nuk mund të zbatohej për shumë arsye. Edhe pse nuk na takon neve futbollistëve për të folur. Por, duke qenë se jemi protagonistët kryesorë së bashku me tifozët, duhet të mbanim qëndrimin tonë. Mendoj se gjërat janë mirë kështu siç janë dhe pse sigurisht diçka duhet të ndryshojë herë pas here ashtu siç ndryshon futbolli në fushën e lojës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"