Jonuz flet para sfidës me të kuqtë: E mposhtim Partizanin, më 10 maj vendoset gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 11:23

Jonuz flet para sfidës me të kuqtë: E mposhtim Partizanin, më 10 maj vendoset gjithçka

Mirsad Jonuz paralajmëron kthesën ndaj Partizanit. E lehtë nuk do të jetë dhe trajneri e di mirë këtë, e megjithatë duket se e ka gati “kurthin” për kundërshtarin. Ai i njeh mirë pikat e forta, por edhe mangësitë dhe këtë e ka pohuar gjatë konferencës së dhënë dje përpara mediave. Maqedonasi shpjegoi se i ka marrë masat për të mbuluar edhe tri mungesat në këtë duel, ndërsa shpresa të mëdha ka prej Silvio Zhuniorit. Sheh rritje te braziliani, aq sa pret që golat të vijnë prej tij kundër të kuqve. “Troç” e thotë që Vllaznia e tij do t’i largohet “play out”-it, ndonëse llogaritë do të bëhen vetëm pas 10 majit.jONUZ

Ju pret një ndeshje e vështirë nesër (sot)?

Jemi angazhuar shumë për Partizanin. E dimë se çfarë na pret. E kemi të qartë se me kë luajmë dhe se si duhet ta luajmë këtë ndeshje. Është një javë shumë e rëndësishme si për ne, ashtu edhe për kundërshtarin. Jam i bindur se këtë herë çdo gjë do të jetë në rregull.

Keni tri mungesa, i keni marrë masat?

Kemi tri mungesa, sikundër edhe dihet. Për shkak të dëmtimeve nuk do të kemi Ramadanin dhe Hristovin, ndërsa nga kartonët është i penalizuar Marku. Mendoj se asgjë nuk do të ndryshojë në formacion. Në vend të Markut do të gjejmë një zgjidhje tjetër, ndërsa pjesa tjetër do të jetë si më parë. Por nuk ka rëndësi se kush do të luajë, pasi kushdo që do të zbresë në fushë duhet të japë maksimumin. I kemi shumë të nevojshme pikët për të shmangur “play out”-in.

Kur mund të jetë e qetë Vllaznia?

Deri më 10 maj çdo gjë do të mësohet dhe besoj shumë se do ta shmangim problemin e mbijetesës. E rëndësishme është që kjo ndeshje të shkojë sa më mirë dhe besoj se kështu do të ndodhë.  Kalendari është i tillë që deri me 22 mars do të kemi edhe tri ndeshje të tjera. Ne jemi në minus tre apo katër pikë dhe këto duhet t’i rikuperojmë. Ndeshjet e tjera duhet t’i marrim një nga një.

Jeni ndeshur dy herë me Partizanin dhe mund të themi që e njihni mirë. Kujt duhet t’i ruheni më shumë?

Partizani ka lojtarë shumë të mirë. Normalisht duhet të vendosim edhe taktikën tonë të lojës për ta mundur. Ata luajnë me shumë pasime, kanë shumë transformim në lojë, por në të njëjtën kohë kanë edhe ata mangësitë e veta. Këtë duhet të shfrytëzojmë ne. Ia kam thënë edhe skuadrës që duhet të shfrytëzohet faza sulmuese. Duhet të harrojmë gjithçka dhe të përqendrohemi në këto 90 minuta.mirsad-jonuz

“Demat” nuk vijnë në formën më të mirë në Shkodër, e shihni si “bonus” këtë?

Sa herë nuk ka rezultat, ka probleme. Nuk e di se përse bëhet gjithë ky presion te ne, Partizani apo edhe skuadrat e tjera në Shqipëri. Lojtarëve të mi ua kam thënë qartë: Nuk duhet ta mbajnë mendjen te rezultati. Edhe po humbën, ky është sport. Ne si staf teknik duhet të marrim maksimumin nga çdo lojtar që do të jetë në fushë.

Keni deklaruar se Vllaznia e 2020-ës është më cilësore. Keni ndryshuar mendim apo keni të njëjtin mendim?

Jo se jam unë këtu, por nuk është e lehtë të rritesh. Të mos harrojmë se kjo skuadër vjen nga Kategoria e Parë dhe që ta bësh atë kualitative duhen minimalisht dy vite. Ne kemi qenë të detyruar të largojmë disa futbollistë dhe të afrojmë disa të tjerë gjatë fazës dimërore. Me disa prej lojtarëve që kemi sjellë jam i kënaqur, veçanërisht me brazilianin Zhunior. Po rritet dita-ditës.

Çfarë prisni prej tij nesër (sot)?

Besoj shumë se ndaj Partizanit ai do të shënojë. Mendoj se skuadra është përmirësuar në disa elemente, duke dhënë garanci për vazhdimësinë. Dhe kthesën në fakt unë e pres që nesër (sot). Por që t’ia dalin, na mbetet të luftojmë për secilin top.

Ndiheni të rrezikuar?

Ta harrojmë atë se çfarë ka ndodhur më parë, pozitive apo negative qoftë. Kemi edhe 11 ndeshje përpara dhe unë po e them përfundimisht që ne do të luftojmë të mos shkojmë në “play out”, të qëndrojmë në Superiore si dhe të shkojmë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Kjo skuadër i ka kualitetet, por që gjërat të vendosen në vendin e vet kërkojnë kohë. Do të bëjmë çdo gjë që deri vitin e ardhshëm Vllaznia të jetë aty ku duhet të jetë.

A keni ndonjë koment për deklaratat e Samuel Nikajt kundër jush?

Nuk dua të komentoj, e kam thënë ç’kisha për të thënë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"