Jazxhi: Prisni një tjetër Teutë, gati të fitojmë me Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2023 | 15:21

Jazxhi: Prisni një tjetër Teutë, gati të fitojmë me Kastriotin

Një nga futbollistët kyç të Teutës në këtë edicion padyshim se është mbrojtësi Artan Jazxhi. Shtatlarti ka qenë fantastik në paraqitjet e tij, ku përveç angazhimit në mbrojtje, ka qenë mjaft aktiv edhe në fazën e sulmit, duke shënuar një gol.

Jazxhi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Jazxhi ka folur për ecurinë e fazës përgatitore të skuadrës së tij, duke theksuar se atmosfera në klub është shumë e mirë.

Artan, si po shkon faza përgatitore dhe si e vlerësoni gjendjen e skuadrës deri tani?

Mund të them me bindje të plotë se faza përgatitore e zhvilluar deri më tani në Durrës ka shkuar mjaft mirë. Jemi duke punuar në kushte mjaft komode, në temperatura optimale. Jemi duke marrë ngarkesën e plotë dhe natyrisht që kushtet ndikojnë në këtë drejtim. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.

22 gola të pësuar këtë sezon sikur janë shumë. Ju shqetëson ky fakt?

Nuk e mendoj kështu. E rëndësishme mbetet që skuadra të jetë gati për nisjen e kampionatit, por nuk duhet të harrojmë se kemi gati dhe një javë deri në ndeshjen e parë. Edhe mungesat e lojtarëve kanë ndikuar, por nuk përbën shqetësim, rëndësi ka të vijojmë të punojmë maksimalisht.

Çfarë prisni nga ndeshja me Kastriotin?

Dueli me Kastriotin dihet që është shumë i fortë. Presim të japim shpitin në fushë të gjithë lojtarët siç e kemi dhënë deri në këto momente. Shpresojmë të vazhdojmë me ritmin e duhur dhe shpresoj të marrim tri pikët dhe të vijojmë me ecuri pozitive.

Jeni duke bërë paraqitje të mira në aspektin personal, si ndiheni?

Unë edhe vitet e tjera kam pasur minutazh dhe formë stabile, por në këtë sezon së bashku me klubin kemi pasur ngritje të formës. Synimet e mia janë të bëj paraqitje sa më të mira dhe ta ndihmoj skuadrën si në sezonin e kaluar me disa ndeshje vendimtare, por edhe me shumë këtë sezon që t’i arrijmë objektivat tanë.

Cilët janë objektivat e Teutës për pjesën e mbetur të sezonit?

Objektivi ynë është i qartë. Teuta ka një skuadër me bagazh të madh të futbollistëve cilësorë, gjithashtu një atmosferë të shkëlqyer brenda ekipit. Ne do ta luftojmë deri në fund me punë, angazhim dhe disiplinë që në fund të na shpërblejë Zoti të jemi sa më lart në renditje.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"