Java e dytë e Superiores/ Egnatia e karikuar, në kryeqytet për të marrë pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 15:30

Java e dytë e Superiores/ Egnatia e karikuar, në kryeqytet për të marrë pikë

Humbja në start tronditi disi ambientin në Rrogozhinë, por duke pasur parasysh faktin se në skuadër kanë ndodhur shumë ndryshime dhe lojtarët ende nuk mund të thuhet se janë ambientuar ka besim te kthesa e shpejtë në kampion.

egnatia kukesi

Të dielën në orën 13:45 në stadiumin “Selman Stërmasi” Egnatia luan në transfertë ndaj Tiranës dhe një tjetër disfatë do ta fuste edhe më tepër nën presion skuadrën. Megjithatë, duke parë emrat me shumë eksperiencë që janë pjesë e ekipit rrogozhinas, duke filluar nga mbrojtësi Krasniqi, mesfushorët Telushi, Çyrbja apo Imeri, por edhe sulmuesi Magani ka besim të madh se kjo transfertë do të kalohet me një rezultat pozitiv.

Trajneri Gugash Magani është munduar të punojë më tepër nga ana psikologjike me skuadrën, në një kohë që lojtarët e huaj si Akbepornu, Gadi dhe Valport po rrisin parametrat fizikë dhe janë një garanci më shumë për ekipin. Kujtojmë që në fazën përgatitore Egnatia zhvilloi miqësoren e parë pikërisht me Tiranën dhe barazoi 2-2 në “Selman Stërmasi”. Një pikë tashmë në kryeqytet është një rezultat i mirëpritur për rrogozhinasit, që gjithsesi do të luftojnë për të marrë fitoren.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"