EKSKLUZIVE/ Jashanica “peng” për 5 mijë euro! Mund të fitonte “amnisti”, por Skënderbeu dhe mbrojtësi evitojnë apelimin sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 11:20

EKSKLUZIVE/ Jashanica “peng” për 5 mijë euro! Mund të fitonte “amnisti”, por Skënderbeu dhe mbrojtësi evitojnë apelimin sepse…

Skënderbeu dhe Jashanica heqin dorë nga kërkesa për “amnisti”. Pritej që mbrojtësi të rikthehej në fushë brenda 2019- ës, por kjo gjë nuk do të ndodhë.

jashanica-1

Klubi dhe mbrojtësi kanë vendosur që të mos bëjnë ankimim për shkurtimin e dënimit të dhënë nga UEFA në shkurtin e 2018-ës, për përdorim të substancave të ndaluara. Kosovari u pezullua me dy vite në atë kohë dhe zyrtarisht është në mbyllje të muajit të 21-të të dënimit.

Edhe pse e kishte mundësinë që të kthehej para kohe nën urdhrat e Ilir Dajës, ky shans mund të quhet i djegur. Çdokujt i lind e drejta që të kërkojë “falje”, pasi kryen 2/3 e dënimit dhe që të hapet një proces, duhet të paguheshin afro 5 mijë euro. Por, as klubi dhe as kosovari nuk e kanë bërë këtë kërkesë.

Dhe, do të mjaftonin vetëm dy seanca që organet përkatëse në Zvicër t’i jepnin OK-in Bajram Jashanicës për të luajtur. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se, pavarësisht dëshirës së drejtuesve për të mbështetur lojtarin në çdo hap që do të ndërmerrte rreth kësaj çështjeje, kanë vendosur që t’i respektojnë afatet. Duke qenë se dënimi mbyllet në fillim të vitit 2020, e kanë cilësuar shpenzimin të tepërt.

skenderbeu-770x470

Një vendim i tillë është marrë në bashkëveprim mes klubit dhe mbrojtësit, pasi janë vonuar që të plotësojnë dokumentacionin dhe të dorëzojnë në kohë kërkesën në fjalë (duhet të bëhej që në shtator). Me dënimin që mbaron diçka më shumë se 2 muajsh, është bërë kjo zgjedhje. Në këtë linjë ka qenë edhe vetë 29-vjeçari, i cili pas konsultimeve me drejtuesit e klubit dhe zyrës juridike të Skënderbeut, vendosi ta linte mënjanë apelimin.

Kujtojmë se ai rezultoi pozitiv në testet antidoping të zhvilluara menjëherë pas ndeshjes me Jang Bojsin në 28 shtator të vitit 2017. Prej më shumë se dy vitesh mbrojtësi është joaktiv në futbollin e luajtur, madje më 14 shkurt 2018 ai pësoi edhe një dëmtim të rëndë në gju në ndeshjen kundër Teutës. Sipas të gjitha planeve, ai pritet që të nisë të luajë nga faza e tretë e këtij kampionati.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"