Janku: Ja si më uli në stol në stol Boriçi. Mjeku Heqimi: Luajtëm me 10 lojtarë, nuk ia dolëm me Vason

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2017 | 22:06

Janku: Ja si më uli në stol në stol Boriçi. Mjeku Heqimi: Luajtëm me 10 lojtarë, nuk ia dolëm me Vason

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Boriçi e kishte menduar mirë vendosjen taktike. Të gjithë shtatlartë, futbollistë të rinj dhe en ergjikë. Për portën, Janku kujton: “Para ndeshjes, më thirri dhe më tha: Mikel, duke qenë se në Dortmund ke pësuar gjashtë gola, nëse të shohin prapë në portë, nga ana psikologjike, janë të favorizuar”… Para Dinellës në portë ai rreshtoi Kazanxhin e Memën të 17 Nëntorit; Jorgaqin e Labinotit, lojtarë të fortë fizikisht edhe në lojën në ajër, si dhe dy mbrojtësit anësorë Gjinalin e Dinamos dhe Vason e Skënderbeut.

Mbrojtjen e përforcoi me një mesfushë aktive, me një strategji më shumë mbrojtëse, ku ishin Rragami e Bizi të Vllaznisë, Shllaku i Partizanit, lojtarë me eksperiencë tashmë. Dhe, në sulm, nga Partizani Panon e dinamasin Zhega që alternoheshin. Duelet e atij takimi që mbahen mend kanë qenë: Pano-Shulc dhe Vaso-Netzer.

Komenti radioteleviziv: Mazreku, Bellova dhe Gurashi

Ndeshja Shqipëri-RFGJ në dhjetor të vitit 1967 është komentuar në “Radio-Tirana” nga Anton Mazreku dhe Ismet Bellova. Ndërsa në ekran nga Qendra Eksperimentale e Televizionit Shqiptar nën komentin e Alfons Gurashit, një tjetër firmë e njohur radiotelevizive. Ajo është ndjekur masivisht nga e gjithë Shqipëria që, në atë mesditë, ka “mbajtur frymën” me veshët kryesisht te valët dhe zëri i radios, por dhe ai televiziv, të grumbulluar në ato familje që zotëronin ato pak aparate për kohën.

loro borici shen

Kronika: Nga goli i mohuar…

Ai 90-minutësh ka qenë i pari, por edhe i fundit për Gjinalin në kombëtare, bashkë me dy gjuajtjet e paharruara njëra pas tjetrës. Minuta 52, nga një pasim i Ali Memës, në një distancë 25 m, pak diagonal ai godet tokazi, befasishëm dhe Volter reagon me vonesë, e pret topin nga e majta e tij, por për tifozët e tribunës “A”, fotografët e ndodhur aty pranë, topi e ka kaluar vijën e portës jugore, por që nuk mendojnë kështu asistenti Verer dhe arbitri Marshal, ndonëse në fanellën e Volterit duket qartë njolla e gëlqeres së vijës së bardhë.

Por, ai a ka filluar menjëherë lojën, madje nga hutimi mbrojtja gjermane e ka lënë topin të dalë jashtë vijave anësore. Me rifillimin e shpejtë të lojës, në pak sekonda, topi ndalon sërish te këmbët e Gjinalit, ende i pakthyer në mbrojtje. Te vija e 16- metrave ai godet fuqishëm, por Volter fluturimthi largon topin në korne nga e majta e tij.

…te 11-metërshi i refuzuar

Nga “Sporti” lexojmë: “…Në min. 79′ gjyqtari duhej të jepte penallti. Zhega eci përpara dhe më vonë ia pasoi topin Panos në drejtim të krahut të majtë. Ky hyri në zonën e rreptësisë me zigzage, dribloi dy mbrojtës kundërshtarë dhe Shulci gjeti vetëm një rrugë dalje – ta rrëzojë në tokë brenda zonës së rreptësisë. Gjyqtari austriak e pa ‘më të udhës’ të bëjë me dorë duke sinjalizuar me shenjën tashmë të njohur të vazhdimit të lojës…”.

shqiperi gjermani1

Me 10 lojtarë, Heqimi: “Zbrita edhe unë për ndihmë”

Ky është një detaj shumë i rëndësishëm i takimit. Pas një përplasjeje në meslojën e parë me mbrojtësin shtatlartë Vili Shulc, Teodaor Vaso dëmtohet në këmbën e majtë dhe, deri në fund të pjesës së parë, ashtu ka qëndruar në fushë. I ndodhur në stadium, mjeku i njohur Lluka Heqimi e kujton atë moment kur u kërkua ndihmë publike:

“Në pushim të ndeshjes, me anë të altoparlantit, u bë thirrje që mjekët e pranishëm në stadium të zbrisnin në dhomat e zhveshjes së kombëtares për t’i ardhur në ndihmë stafit mjekë- sor për të rikuperuar Vason e dëmtuar. Zbrita edhe unë. Tentuam bashkë me mjekun Ismail Feta, por ishte e pamundur dhe Vaso ashtu ka luajtur edhe në 45 minutat e dyta. Praktikisht, skuadra jonë kombëtare ka qenë me dhjetë lojtarë në fushë”. Janë vitet kur gjatë grumbullimeve lojtarët stërviteshin edhe si portier, për të qenë të gatshëm të zëvendësonin edhe portierin në raste dëmtimi të tij.

Të gjithë në fushë, birra dhe festë deri vonë në Tiranë

Sapo është dëgjuar vërshëllima finale, të gjithë kanë vërshuar në fushë. Një festë e vërtetë sportive, tifozë që ngrinin lojtarët në krahë, ndërsa futbollistët gjermanë qëndronin të shtrirë në fushë nga dëshpërimi. Një entuziazëm i papapërshkruar në korridoret, dhomat e zhveshjes ku janë futur Ramiz Alia, Manush Myftiu, Rexhep Doda etj.

Festa vazhdoi gjatë, deri në orët e vona në rrugët e kryeqytetit, me lokalet e hapura, birrë dhe verë. Në darkën zyrtare në hotel “Dajti”, në banketin e organizuar ku janë ftuar edhe futbollistë e drejtues të të dyja skuadrave, arbitrat, pasi kanë parë të projektohen momente nga ky takim, kanë shpërthyer diskutimet, mbi të gjitha në fokus ishte gjuajtja e Gjinalit. Pastaj nuk kanë munguar elozhet e trajnerit Shën për kolegun Boriçi.

shqiperi gjermani8

“Sporti”, mungon fotoja emblemë

Të martën e 19 dhjetorit, “Sporti” del me titull: “Sukses i madh i futbollit tonë, RP Shqipërisë-RF Gjermane 0-0. Skuadra jonë luajti për 60 minuta me dhjetë lojtarë”. Krahas shkrimit është një foto e madhe e 11-shit tonë dhe pritja e Volter pas gjuajtjes së dytë të Gjinalit. Në pjesën e sipërme të faqes së parë, është edhe një shkrim informues mbi vizitën e Enver Hoxhës dhe largimin e tij nga rrethi i Dibrës, kjo e lidhur me tërmetin. Duke iu rikthyer “Sportit”, ku shkruhet se “skuadra jonë luajti një për të gjithë e të gjithë për një, ndaj një skuadre si Gjermania që nuk e diskutonte fitoren”.

Në shkrimin e gjatë që mbush edhe faqen e tretë dhe që nuk ka autor, por korres. i “Sportit Popullor” na informon se “në pjesën e parë sulmi ynë organizoi 15 zbritje që arritën deri në afërsi të portës. Ndonëse me një rreshtim tepër mbrojtës, ky numër tregon se skuadra jonë përfaqësuese nuk ka luajtur në mbrojtje…” Në faqen e parë të “Sportit” është vendosur fotoja e ekipit kombëtar nga S. Bej Atsh, pritja e dytë e Volterit nga i njohuri E. Shabani, po kështu edhe faqja e tretë shoqërohet me foton e tyre nga ky takim. Ajo që mungon në këtë numër historik të gazetës është fotoja kur Volter duket qartë i shtrirë mbi vijën e portës, ndërsa ka pritur topin pas goditjes së parë të Gjinalit.

Ashtu si na mëson Partia…

Krahas komentit teknik, në faqen e “Sportit” gjejmë disa radhë ku takimi, rezultati lidhen dhe kanë trajtime politike, ndërsa lexojmë se “si një ekip monolit, më të fortë se asnjëherë, por edhe duke vënë politikën në plan të parë, duke mos nënvleftësuar kundërshtarin dhe duke pasur besim të madh në forcat e veta, ashtu siç na mësojnë Partia dhe shoku Enver, futbollistët luftuan me ngulm…”.

shqiperigjermani

Shtypi botëror: “Nuk çahet ‘dryni’ shqiptar”

“Franc Pres”: Eliminohet Gjermania Perëndimore. Detyra dukej e lehtë, por nuk e kishin llogaritur vullnetin e shqiptarëve, të cilët edhe mund të kishin fituar.

“Junaited Pres”: Barazimi sensancional. Vija e parë e RFGJ-së nuk pati forcën të thyente mbrojtjen masive të zhvendosur nga shqiptarë, kjo edhe për nga paaftësia gjermanë për të çarë “drynin” shqiptar që, edhe pse me dhjetë futbollistë, pasi Vaso i dëmtuar u fut në pjesën e dytë, por nuk bënte gjë tjetër veçse çalonte në krahun e majtë.

Festë në Beograd, Jugosllavia finaliste në Romë

“Na eliminuat ne dhe përfitoi Jugosllavia, ishte ajo që stafi gjerman shprehu nën zë në darkën zyrtare të organizuar në ‘Dajti’ dhe rezultati kishte favorizuar Jugosllavinë jo mike të shqiptarëve. Ndërkohë, në kanalin qendror të televizionit jugosllav që po transmetonte kampionatin e boksit midis klubeve, kur nga altoparlanti i Pallatit të Sportit ku po zhvillohej aktiviteti është dhënë rezultati i Tiranës, është dëgjuar një shpërthim i madh, pasi askush nuk e kishte besuar surprizën që do të vinte nga Shqipëria.

Në renditjen përfundimtare, Jugosllavia ka 6 pikë (tre fitore, 8-3 gol), RF Gjermane 5 pikë (2 fitore, 1 barazim, 9-3 gol) dhe e fundit Shqipëria me një pikë në katër takime (0-12). Në finalet që do të luhen në qershorin e vitit 1968 në Romë, si e para e grupit, do të shkojë Jugosllavia.

Rragami, Dinella, Gjinali, Zhega edhe te Vllaznia

Pas ndeshjes, Ramazan Rragami, duke qenë se i ka dhënë fund shërbimit ushtarak te Partizani, është nisur menjëherë në Shkodër, duke u rikthyer te Vllaznia, ku luajti deri në fund të karrierës. Madje, në ndeshjen e 25 dhjetorit për Kupën Ballkanike, “Vllaznia-Beroe”, në formacionin shkodran janë pesë lojtarë të kombëtares, që një javë më parë barazoi me Gjermaninë. Rragami, A. Mema, Zhega e bashkë me ta Koço Dinella në portë, Fred Gjinali si mbrojtës i djathtë, këta të fundit të tre të Dinamos marrë si përforcim nga trajneri Xhod Shaqiri. Vllaznia fitoi 4- 0 me gola të S. Danit. A. Memës, Rragamit e N. Gjergjit.

shqiperi gjermani9

Në “German Football Museum in Dortmund”

E papublikuar asnjëherë më parë, edhe për ne ishte surprizë kur ajo foto na ra në dorë. E marrë në “German Football Museum in Dortmund”, ndërsa e vështron, dallon mjaft mirë që me germa dore është shkruar: “Albanien Deutschland 17.12.67-Tirana”. I ndodhur në Tiranë për ndeshjen, gazetari gjerman ka mundur t’u marrë me shumë saktësi firmat lojtarëve, trajnerëve, deri tek ajo e mjekut Ismail Feta dhe përkthyesit, stomatologut Pano Lulo. Këtë foto ai e ka arkivuar në Muzeun e Sportit të Dortmundit, që më pas është ekspozuar në njërin nga pavionët e tij.

Ku janë sot legjendarët e 17 dhjetorit të 1967-ës? Disa prej tyre, fatkeqësisht, janë ndarë nga jeta. L. Boriçi, I. Shuke, S. Jareci. Edhe kapiteni Shllaku, J. Kazanxhi, M. Zhega, F. Jorgaqi, P. Pano, për fat të keq, nuk jetojnë më. Ndërsa Dinella bashkë me familjen ndodhet në Boston (USA). Sabah Bizi dhe Ramazan Rragami janë pensionistë dhe jetojnë në Shkodër. A. Mema, F.Gjinali gjithashtu në pension në Tiranë e jetojnë, ndërsa T. Vason e gjen në Korçë, aktiv si atëherë. Edhe pse vitet natyrshëm do të kalojnë, ajo 11-tëshe, trajnerët e saj, me Boriçin në krye, mbeten monumentalë.

Me Gjermaninë do të ndeshemi sërish, tashmë për eliminatoret “Euro 1971”, që njëkohësisht do të shënojë edhe rikthimin në aktivitete ndërkombëtare të përfaqësueses sonë pas një shkëputjeje katërvjeçare. Në grup bashkë me Shqipërinë janë Polonia, Shqipëria, Turqia dhe RF Gjermane. Me atë që e mbyllëm, me atë do ta rifillojmë, kur në shkurtin e vitit 1971, në “Qemal Stafa”, do të jenë përballë Shqipëri-RF Gjermane, në një tjetër 90-minutësh dramatik, protagonistë të të cilit do të jenë Pano, Bizi, Rragami, Dinella e Vaso nga ’67-ta, ndërsa për RFGj-ja do të vijë me Majer, Shnelinger, Vogts, Bekenbauer, Myler.…..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"