Italia si… supermarket/ Nga sulmuesi te Barela, hapet thesi për kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2021 | 0:17

Italia si… supermarket/ Nga sulmuesi te Barela, hapet thesi për kampionët

Kampionë Europe dhe sa shumë zbulime të bukura mes grupit të Roberto Mançinit, të cilat kanë nisur të joshin klubet e mëdha italiane dhe sidomos ato jashtë kufijve. Itali mposhti Anglinë, duke i hapur një plagë të madhe dhe nga e hëna është transformuar në supermarketin e Europës.

iTALIA FESTA NE FINALE

Madje, që në ditën e djeshme erdhi edhe konkretizimi i parë, transferimi i Xhanluixhi Donarumës, i cili firmosi deri në vitin 2026 me PSG-në, pasi nuk rinovoi kontratën me Milanin.

KIEZA – Pas Xhixhos, emri më i kërkuar në Europë është ai i juventinit Federiko Kieza. Sulmuesi, lider absolut në repartin sulmues dhe autor i dy golave, sigurisht që nuk do të lëshohet lehtë nga bardhezinjtë, e cila kërkon ta blindojë edhe më tej, por ndërkohë Bajerni i Mynihut dhe Çelsi kanë nisur luftën e milionave.

Pasi Juvja refuzoi 80 milionë nga Mynihu, dje ishin londinezët që bënë ofertën e parë: 100 milionë euro, një çmenduri, pasi blutë ëndërrojnë dyshen fantastike sulmuese Kieza-Haland. Dhe papritur, nga Torinoja nisin të lëkunden…

INSINJE – Një situatë delikate po përjeton Lorenco Insinje, i cili për të qëndruar kërkon një rritje page, por që nga Napoli nuk do të vijë. Dhe me shumë mundësi “divorci” është i paralajmëruar, me Lacion në krye të listës që është gati ta blejë, por në orët e fundit përflitet edhe për Barcelonën, në rast se largohet Grizman, pa harruar edhe disa klube angleze si Totenhemi e Mançester Junajtid që po bëjnë sondazhe.

BERARDI – Tjetër sulmues që mund të ndërrojë fanellë është Berardi. Nëse pista Milan ka sfumuar, Lacio, por edhe Roma e Murinjos kanë kontaktuar Sasuolon, me bisedimet që pritet të vazhdojnë.

EMERSON – Nga Çelsi te Napoli mungojnë detajet e fundit. Mbrojtësi i majtë i Italisë po punon prej kohësh për të luajtur në Serinë A dhe me shumë mundësi konkretizimi i marrëveshjes do të vijë në ditët në vazhdim. Marrëveshja flet për 20 milionë euro për kartonin, plus 3 milionë euro neto Emerson Palmierit.

LOKATELI – Një ndër konfirmimet për të bërë hapin e madh në karrierë është Manuel Lokateli. Sulmuesi, për të cilin Arsenali ka ofruar 40 milionë euro, plus 5 bonuse duket se nuk ka ndërmend që të transferohet në Premier Ligë dhe i ka kërkuar klubit që të ndërpresë bisedimet, pasi ideja e mesfushorit është ajo për t’iu bashkuar Bonuçit e Kielinit te Juventusi. Madje, duke mbetur te Kielini, kontrata e të cilit ka përfunduar, ajo është e sigurt se do të rinovohet në orët e ardhshme.

BELOTI – Roma ka dalë si kandidaturë në orët e fundit, por sulmuesi i Torinos ndiqet me shumë kujdes nga mjaft klube angleze, si Uolves, Kristal Palas dhe Everton, por duhet pritur ende.

SIRIGU – Portieri duket i sigurt që do të lërë Torinon, por pas Juves që e donte si zëvendës të Sheznit, në orët e fundit është Xhenoa ajo që i ka ofruar të jetë titullari i kuqebluve dhe palët pritet të gjejnë akordin.

BARELA – Në fund, por jo më pak i rëndësishmi, Nikolo Barela. Interi nuk kërkon ta lëshojë, përkundrazi, por duke parë lumin e milionave (70) që ka ofruar zyrtarisht Liverpuli, por edhe Bajernin e Mynihut e Realin që kanë kohë që e ndjekin, frika në Milano se mund ta humbin “motorin” e tyre është bërë vërtet e madhe te tifozët.

YJET ITALIANE ME TE KERKUAR

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"