Ish-trajneri i Flamurtarit: Donin të “hanin me dy duar”, Skënderbeu e meritoi dënimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2018 | 10:16

Ish-trajneri i Flamurtarit: Donin të “hanin me dy duar”, Skënderbeu e meritoi dënimin

Edmond Lutaj është shumë i ashpër me Skënderbeun. Sipas tij, vetëm kështu mund të luftohet problemi i madh i trukimit të ndeshjeve. Ish-trajneri i Flamurtarit thotë se skuadra korçare e ka merituar dënimin dhe se do të mendonte njëlloj edhe nëse do të ishte Flamurtari skuadra që kishte trukuar.

Lutaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai bën fajtore edhe Federatën e Futbollit, por edhe drejtuesit e skuadrës korçare. Lutaj analizon gjithashtu ecurinë e Flamurtarit dhe thotë se nuk e kupton rënien që ka ndodhur, krahasuar me fillimin e kampionatit që ishte i kënaqshëm. Ai tha se vlonjatët duhet të shfrytëzojnë momentin e vështirë që po kalon Skënderbeu për të marrë pikë edhe në ndeshjen e nesërme në Superiore.

Flamurtari fitoi në Korçë me Skënderbeun duke bërë një kthesë të papritur, pasi kishte dy muaj pa fituar. Si e vlerësoni këtë fakt?

Fitore shumë e rëndësishme. Mendoj se kjo është kthesa e Flamurtarit. Megjithatë, Flamurtari ka bërë gjysmën e punës dhe duhet të ketë kujdes në ndeshjen e kthimit. Skënderbeu është ekip me cilësi të lartë dhe i ka të gjitha mundësitë ta përmbysi rezultatin.

edmond lutaj

Si e shpjegoni këtë rënie të lirë të vlonjatëve, nga dy fazat e para të mira, tashmë në një pozicion delikat. Mund të futet edhe në vorbullën e skuadrave që luftojnë për mbijetesë?

Vështirë për ta analizuar këtë rënie të Flamurtarit. Nuk e di se si është klima brenda ekipit. Nuk e di nëse ka ndonjë pakënaqësi brenda grupit. Edhe kjo mund të jetë një arsye.

Flamurtari luan sërish nesër ndaj Skënderbeut, çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Ndeshja e së hënës do jetë shumë e fortë. Skënderbeu do të rifitojë besimin e humbur. Është një ekip i goditur rëndë nga ana psikologjike dhe këtë gjë Flamurtari duhet ta shfrytëzojë.

Skënderbeu u dënua me 10 vite përjashtim dhe 10 milionë euro gjobë nga UEFA. E prisnit?

Unë jam shprehur edhe kur Skënderbeu mori dënimin e parë nga UEFA dhe thashë që dënimi njëvjeçar ishte shumë i butë nga UEFA për akuzën e manipulimit të ndeshjeve. Por nuk e dija që ishte një vendim paraprak. Skënderbeu donte të “hante me të dyja duart” dhe mendoj se mori dënimin që meritonte. Shpreh keqardhjen për të gjithë ata sportdashës korçarë dhe në mbarë vendin, që e simpatizojnë Skënderbeun, por përgjegjësia është e vetë klubit dhe e askujt tjetër. Gjëja më e shëmtuar është se nuk akuzohen sportistët, por janë drejtuesit më të lartë të klubit që kanë manipuluar ndeshjet në bashkëpunim me lojtarët. T’i lëmë hipokrizitë dhe të luftohet ky fenomen i shëmtuar.

edmond lutaj

Ti si klub mund të kesh mbrojtje në Shqipëri, por në aktivitet e UEFA-s ka “Çeçua biçak”, siç thotë një shprehje popullore. Nuk duhet të keqinterpretohem se jam një vlonjat që kritikoj Skënderbeun. Do kisha mbajtur të njëjtin qëndrim dhe nëse ekipi që do dënohej për të njëjtin veprim do të ishte Flamurtari. Nëse të gjithë manipulojnë ndeshjet, çfarë do ndodhi me këtë sport kaq popullor dhe të dashur?

Nëse Federata Shqiptare do e kishte sulmuar këtë fenomen, atëherë nuk do kishim këtë dënim. Problemi është i yni. Janë manipuluar ndeshje sa të duash në kampionatin shqiptar, janë bërë ndere dhe dëme sa të duash duke përcaktuar në tavolinë se kush do mbijetojë dhe kush do bjerë nga kategoria. Kush do ta fitojë titullin dhe kush do luajë në Kupat e Europës. Nuk është vënë dorë dhe kjo ishte pasoja.

Mendoni se FSHF duhet të kishte bërë më shumë me vendimet ndaj skuadrave që kanë toleruar në këto vite, duke marrë vendime drastike?

Unë e përmenda edhe më lart. Federata Shqiptare e Futbollit është bashkëfajtore. Jemi një vend i vogël dhe i dimë si funksionojnë gjërat në Shqipëri.

lutaj-ne-kembe

Si e shikoni garën për Europën, nga Kukësi te Laçi, Partizani, Luftëtari dhe Flamurtari. Kush mendoni se mund të mbetet jashtë?

Flamurtari i ka vështirësuar gjërat. Kukësi më ka pëlqyer me lojën që po bën dhe mendoj se është një nga favoritet, ndërsa dy vendet e tjera janë të hapura. Por shpresoj që Flamurtari të sigurojë pjesëmarrjen në Europë.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"