Ish-lojtari i Tiranës bëhet çështje te Kastrioti, firmos dhe nuk shkon në stërvitje. Shkalla surprizon me lëvizjen e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2020 | 11:45

Ish-lojtari i Tiranës bëhet çështje te Kastrioti, firmos dhe nuk shkon në stërvitje. Shkalla surprizon me lëvizjen e fundit

Alesio Abibi bëhet çështje te Kastrioti. Gardiani i cili firmosi afro dy javë më parë, po kërkon të shtojë disa pika në kontratë dhe kjo ka sjellë një ftohje mes palëve. Krutanët nuk pranojnë të negociojnë asnjë ndryshim në marrëveshjen e nënshkruar me vullnet të plotë nga ana e portierit, derisa edhe i kanë ofruar ish-lojtarit të Tiranës atë që ai ka pretenduar fillimisht. Në mungesë të një dakordësie, situata mund të shkojë edhe në “divorc” të parakohshëm.

Alesio Abibi

Por nëse ndodh kjo, atëherë do të cilësohet prishje e njëanshme e marrëveshjes dhe kjo mund të sjellë “faturë” të lartë për Abibin. Portieri së fundmi ka munguar në stërvitje, madje edhe në ndeshjen me Teutën. Kjo mund të jetë penalizuese për 23- vjeçarin, pasi klubi po mendon që ta gjobisë.

RIKTHIMI – Silvestër Shkalla u largua pak ditë më parë nga krutanët, pasi pati marrë një ofertë nga një skuadër bullgare. Por jo gjithçka ka shkuar ashtu sikundër qendërmbrojtësi e kishte parashikuar dhe kjo ka bërë që të rikthehet në Krujë.

kASTRIOTI

Edhe pse ka nisur stërvitjet, 25-vjeçari ende nuk ka firmosur. E megjithatë, shanset janë që të mos vonojë zyrtarizimi i tij. Deri më tani krutanët kanë afruar 10 lojtarë, ndërsa pritet që të ketë të paktën edhe dy afrime.

ANALIZA – Një tjetër analizë të gjatë ka zhvilluar stafi teknik pas humbjes në miqësore me Teutën. Ndonëse loja e skuadrës ka pësuar rritje, për Ramazan Ndreun ka ende shumë punë për të bërë. Ai ka kërkuar prej grupit më shumë përqendrim dhe përgjegjësi.

BUJAR BALLIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"