Ish-kapiteni i Vllaznisë: I pyetëm lojtarët çfarë ndryshoi për keq, ju tregoj mbledhjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2018 | 21:12

Ish-kapiteni i Vllaznisë: I pyetëm lojtarët çfarë ndryshoi për keq, ju tregoj mbledhjen

Ish-kapiteni i Vllaznisë, Suad Lici, ishte pjesë e analizës së zhvilluar në mbrëmjen e së hënës mes drejtuesve të klubit, stafit teknik dhe lojtarëve. Pavarësisht se nuk është pjesë e asnjë strukture të klubit kuqeblu, përsëri Lici nuk qëndroi pasiv për të qenë pranë ekipit në momentet më të vështira të tij. Humbja me Luftëtarin ka vënë në pikëpyetje reale vazhdimësinë e skuadrës në Kategorinë Superiore dhe Lici, bashkë me ish-portierin Armir Grima, kanë menduar që të mbështesin moralisht Vllazninë në këtë situatë delikate. Për “Panorama Sport”, Lici ka treguar atë që ka ndodhur gjatë analizës, si dhe faktin se ka vendosur të marrë pjesë edhe ai në cilësinë e një ish-lojtari.

vllaznia mbledhje

ANALIZA – “Normalisht që duhet që të jemi afër ekipit në këto momente të vështira. Situata nuk është e mirë dhe për këtë u kemi kërkuar që të gjithë lojtarëve që ishin pjesë e asaj mbledhje, nëse kanë ndonjë arsye konkrete pse Vllaznia është në këtë situatë. I kemi pyetur ata se çfarë ndryshoi në dy takimet e fundit me Teutën dhe Luftëtarin pas asaj ecurie të mirë. Ne u nisëm nga paraqitja që lojtarët bënë në fushë dhe jo nga rezultatet. Ata morën përgjegjësitë e tyre në këto dy humbje. U shprehen se nuk kishin asnjë shkak apo pakënaqësi që sollën këto humbje. Më tepër, e gjithë ajo mbledhje që u mbajt të hënën, ishte si një shkundje që i bëhet ekipit në këto momente. Më mirë tani, sa nuk është vonë”, u shpreh fillimisht Suad Lici për gazetën.

NDESHJA – Vllaznia do të luajë ndeshjen e radhës kundër Laçit të dielën, në orën 19:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Një përballje e vështirë për kuqeblutë, të cilët duhet të fitojnë medoemos nëse kërkojnë të qëndrojnë në Superiore. Tashmë çdo pikë e lënë në Shkodër do të ishte një goditje e rëndë për kuqeblutë. “Nuk ka asnjë alternativë tjetër veç fitores në takimin ndaj Laçit. Kjo ka qenë edhe ajo që u fol më shumë në këtë mbledhje me lojtarët dhe drejtuesit. S’ka asnjë shkak që skuadra të mos reflektojë dhe të mos arrihet ajo që kërkohet. Nuk diskutohet që presioni është më i madh tashmë te Vllaznia, por duhet që këta lojtarë të tregojnë vlerat që kanë. Në mbledhje ata premtuan për kthesë në rezultate dhe shprehen besimin se kjo do të ndodhë që me Laçin. Prandaj edhe unë besoj te fjala e atyre, pasi i kanë të gjitha mundësitë për të mundur Laçin”, përfundoi ish-lojtari shkodran.

MBËSHTETJA – Drejtuesit e klubit shkodran kanë përdorur një tjetër taktikë të hënën në mbledhjen me skuadrën. Në një kohë që lojtarët prisnin të kritikoheshin për atë paraqitje të dobët ndaj Luftëtarit, ka ndodhur e kundërta. “Keni mbështetjen time maksimale, pres të reagoni”, ka thënë ndër të tjera kryebashkiakja Voltana Ademi para skuadrës. Për drejtuesit, në këtë moment kritik nuk bëjnë punë as masat ndaj lojtarëve, por thjesht mbështetja për një kthesë të menjëhershme në kampionat. Për fat të mirë, kuqeblutë janë sërish në shtëpi.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"