Ish-kapiteni Gjyla skanon verdhejeshilët: Lushnja e brishtë në mbrojtje, të tregojë veten në Luz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2024 | 20:50

Ish-kapiteni Gjyla skanon verdhejeshilët: Lushnja e brishtë në mbrojtje, të tregojë veten në Luz

Lushnjarët regjistruan humbjen e dytë radhazi, në këtë fazë të tretë. Pas disfatës 3-1 me Elbasanin, verdhejeshilët u mundën 2-1 në shtëpi ndaj Bylisit. Edhe pse nuk kanë marrë asnjë pikë në dy ndeshjet e fundit, myzeqarët kanë mbetur në vendin e shtatë, por diferenca me zonën “play-out” është ngushtuar në mënyrë të ndjeshme.

Gjyla

Skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka vetëm 1 pikë më shumë se Kastrioti. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Lushnjës, Viktor Gjyla në lidhje me situatën u shpreh: “Jam shumë i prekur. Lushnja ka një mbështetje të madhe financiare për Kategorinë e Parë dhe një publik të mrekullueshëm. Është në sezonin e tretë radhazi që lufton për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Situata në tabelë është shumë e qartë. E kam ndjekur Lushnjën me shumë vëmendje dhe në ndeshjet e fundit e kam parë shumë të brishtë në mbrojtje.

Vetëm në tri ndeshjet e fundit, tetë gola të pësuar. Skuadra e pëson golin lehtë. Për mendimin tim, Lushnja bëri një ndeshje shumë të mirë me Bylisin, por është shumë e brishtë në mbrojtje. Skuadra pati pretendime për më lart. Kur ke pasur pretendime dhe gjendesh në një rrethanë tjetër duhet ta menaxhosh situatën me qetësi dhe me pjekuri. Lushnja nuk është për këto nivele, është skuadra më e mirë nga të gjitha ato që kërkojnë mbijetesën. Tani që i ka ndeshjet e drejtpërdrejta me to duhet të tregojë veten, duke filluar nga sfida e radhës në Luz, që duhet fituar me patjetër.

Besoj se Lushnja do të reagojë menjëherë dhe do të shkëputet nga skuadrat që luajnë për mbijetesë. Ndeshja në Luz duhet fituar, pasi është momenti që skuadra të tregojë veten”. Lushnja ka marrë vetëm një fitore dhe pesë pikë në total, në 6 ndeshje të fazës së tretë me skuadrat e renditura në gjashtë vendet e para. Një rezultat që e ka larguar nga zona “play-off” dhe e gjithë vëmendja është që skuadra të qëndrojë në Kategorinë e Parë, pa pasur nevojën e një ndeshje shtesë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL   

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"