Ish-futbollisti i Lushnjës: Vonesa po hedh në erë investimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2020 | 22:26

Ish-futbollisti i Lushnjës: Vonesa po hedh në erë investimin

Për sezonin 2020-2021, klubi lushnjar do të përfaqësohet edhe me skuadrën e futbollit të femrave. Për këtë kryebashkiaku Fatos Tushe, i cili është edhe president i skuadrës verdhejeshile, ka vendosur që trajneri i kësaj skuadre të jetë ish-futbollisti Hekuran Koreshi. Ish-mbrojtësi lushnjar, i cili ka luajtur edhe me skuadra si; Lushnja, Shkumbini, Apolonia, Tomori, Skrapari dhe Albpetroli, ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me klubin lushnjar.

hekuran koreshi

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai ka folur së pari për ekipin e meshkujve, por edhe për atë të femrave që do ta drejtojë vetë. “Së pari, shpreh shqetësimin e madh për situatën e krijuar, sepse kjo vonesë në nisjen e kampionatit është e pazakontë. Kampionati duhet të nisë menjëherë dhe të shpëtohet investimi që kanë kryer klubet, puna e trajnerëve dhe djersa e futbollistëve. Po bie gjendja psikologjike, ka një plan dhe një program që po dëmtohet.

Kam besim se Lushnja edhe në këtë edicion është e gatshme për të luajtur si pretendente për elitën. Së dyti, Lushnja për këtë edicion do të ketë ekipin e femrave dhe falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur si trajner i këtij ekipi. Kemi plotësuar të gjithë dokumentacionin, jemi pjesë e FSHF-së dhe kemi federuar 22 lojtare. Jemi në merkato edhe për tre futbolliste. Jemi në pritje të kalendarit, pasi pretendojmë të jemi në Kategorinë Superiore. Kjo është pjesëmarrje historike për Lushnjën, kemi thyer një tabu dhe po përgatitemi për një kampionat të suksesshëm”, është shprehur Koreshi.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"