Ish-futbollisti i Flamurtarit, Haxhiu: Idrizi dhe Leli u bënë legjendë, duhet sinjali SOS

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2019 | 22:05

Ish-futbollisti i Flamurtarit, Haxhiu: Idrizi dhe Leli u bënë legjendë, duhet sinjali SOS

Saimir Haxhiu e dha dorëheqjen katër vite më parë nga Flamurtari për shkak të krizës. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Haxhiu tha se këtë hap e ndërmori për të ndërgjegjësuar palët se situata ishte e rëndë.

saimir haxhiu

Ish-anëtari i bordit të klubit vlonjat argumentoi largimin e tij duke u shprehur se ka mungesë transparence dhe se takimi Idrizi-Leli u kthye në legjendë. Haxhiu apelon që të nisë puna për ekipin e ri me lojtarët e akademisë dhe drejtuesit të afrojnë specialistë vlonjatë, ata që vendosin zemrën për Flamurtarin.

Haxhiu, si mendoni se duhet të zgjidhet problematika te Flamurtari?

Ky është viti më i vështirë i Flamurtarit sipas mendimit tim duke llogaritur afatet e përgatitjes së një skuadre futbolli për të marrë pjesë në një kompeticion superior. Informohem përditë nëpërmjet gazetës “Panorama Sport” për zhvillimet në kampin vlonjat, por asgjë konkrete. Gjithsesi, deri në qartësimin e gjërave, skuadra me ata futbollistë që përflitet se janë nën kontratë apo të vetafruar, të fillojë stërvitjet. Në mungesë të trajnerit, ta bëjë qoftë edhe me ndonjë specialist pranë klubit, sepse kështu edhe nga ana psikologjike ndikon për mirë dhe i bën më të lehta gjërat për vazhdimësinë. Shtuar kësaj edhe përpjekjet e drejtuesve për t’i dhënë një zgjidhje, që sido që të jetë, do konsiderohet një hap për të shpresuar për të ardhmen.

Me çfarë lojtarësh të fillojë kur nuk ka organikë dhe pa bërë merkato?

Nuk është tragjedi që Flamurtari të përfaqësohet me futbollistë të rinj këtë sezon dhe ju garantoj se do jetë në mesin e tabelës. Më pas, nëse qartësohet situata ligjore e financiare, të besohet për më lart.

Cili duhet të jetë roli i Bashkisë së Vlorës në këtë situatë?

Unë e dëgjoj shpesh “bashkia, bashkia”. E them me sinqeritet, sepse kam qenë pjesë e këshillit bashkiak me dy kryetarë bashkie zotin Gjika dhe zotin Leli, që të dy kanë pasur vullnetin për të mbështetur me çdo mënyrë Flamurtarin. Gjithashtu dhënien në administrim ndaj kompanive turke si të vetmen mënyrë që Flamurtari të bënte gjëra të mëdha. Pastaj problemin ligjor e zgjidhin juristët e dy institucioneve përkatëse. E rëndësishme është se mungon transparenca dhe për këtë, duke parë dëshirën e madhe të këtyre dy zotërinjve për të bërë mirë për Flamurtarin dhe Vlorën, mendoj se do të ulen se u bë legjendë edhe takimi i tyre. Unë mendoj se ky është një alarm SOS për futbollin në Vlorë. Në një situatë të tillë, jam dorëhequr para katër viteve si anëtar bordi. Jo për t’u dorëzuar, se nuk është në profilin tim, por për t’i ndërgjegjësuar palët se situata është e rëndë.

Një sezon pa paga, sa i besueshëm është në vijim Flamurtari?

Sigurisht që me një sezon pa paga, besimi bie. Megjithatë, unë jam i mendimit se organizimi për sezonin e ri duhet të fillojë urgjentisht. Ka specialistë nga ky qytet, por edhe djem të talentuar që mund të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës dhe më pas çdo gjë besoj do qartësohet. E them këtë sepse palët lidhen me kontrata dhe secili do marrë atë që i është premtuar.

Klubi në bisedime me Ahmatajn për stolin, si e shikoni këtë lëvizje?

E kam lexuar që ka kontakte me Ahmatajn dhe shumë mirë. Nuk ka gjë të keqe. Por mendoj se Idrizi i ka specialistët në Vlorë që do vinin edhe zemrën për ta ndihmuar këtë Flamurtar.

Flamurtari rrezikon të mos licencohet nga FSHF për të qenë në Superiore si pasojë e borxheve dhe 31 korriku është afati i fundit. Keni një koment?

Federata është, të themi, kryetarja e familjes dhe kështu që duhet të ketë parësore daljen nga kriza të anëtarëve të saj. Këtë mund ta bëjë duke ndikuar me levat e veta në zgjidhjen e kësaj situate, duke qenë i bindur se afati është më tepër një presion sesa dëshirë për ndëshkim.

Nuk do të jeni më në këshillin bashkiak, ju vjen keq që do mungojë një zë për Flamurtarin?

Jo, pas tri mandatesh nuk do të jem në këtë këshill bashkiak. Por jam krenar që në interes të futbollit të qytetit tim, kam kontribuuar dhe miratuar me të dyja duart lart çdo buxhet për futbollin vlonjat. Megjithatë, mosprezenca ime në këshill nuk do më pengojë asnjëherë të jap kontributin tim për të mirën e Flamurtarit.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"