Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares akuzohet për mashtrim 150 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2017 | 15:48

Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kombëtares akuzohet për mashtrim 150 mijë euro

Përsëri probleme me drejtësinë për Altin Rrakllin. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe më pas trajneri i Kombëtares së femrave këtë herë akuzohet për mashtrim, për një shumë prej 150 mijë eurosh, nga Prokuroria e Tiranës.

 

altin rraklli

Gjyqtari Sokol Tona prezantoi sot akuzën për Rrakllin duke e motivuar si “të akuzuar për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda në dëm të shtetasit Ilir Nasto me shumën 150 mijë euro”.

Por Rraklli nuk ka qenë i pranishëm në këtë seancë dhe nuk është përfaqësuar aty as nga avokati i tij. Seanca ishte shtyrë që nga data 7 prill, por edhe pse Rraklli ishte lajmëruar për ditën e sotme, ka zgjedhur që të mos paraqitet.

Gjyqtari Toma ka kërkuar informacion nga sistemi TIMS për lëvizjet e Rrakllit, i cili ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare pak kohë më parë, për të mbajtur vetëm atë gjermane dhe vendbanimin e ka në Gjermani.

Vitin e kaluar, Rraklli përfundoi në shënjestër të drejtësisë austriake, i akuzuar për pjesëmarrje në aktivitet të jashtëligjshëm në favor të basteve sportive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"