Intervista/ Duka: Dua kalimin e grupit, ja dosjet e trukimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2016 | 15:22

Intervista/ Duka: Dua kalimin e grupit, ja dosjet e trukimeve

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, për të gjitha çësht jet që shqetësojnë futbollin shqiptar, në një intervistë të gjatë në emisionin sportiv “Ora Skaner” të moderatorit Gerti Çarçani, ka komentuar ndërtimin e stadiumit të ri, por edhe dëshirën që ka për ecurinë e ekipit kombëtar në finalet e kampionatit europian.

13267941_969860253113204_1212644146325709578_n

U mbyll një kampionat i gjatë që kishte emocione brenda tij, por a shkoi haka tek i zoti?

Mendoj se gjithkush ka marrë atë që meriton nga gara.  Futbolli nuk është matematikë, është lojë, dhe si e tillë me atë që ka dhuruar gjatë vitit, u ka dhënë emocione të gjithëve.

Duke qenë një garë, nuk është se palët janë të kënaqura, pasi të gjithë ata që garojnë duan të dalin të parët, duan të fitojnë.

Por të gjithë futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit e klubeve të korrigjojnë ato që nuk janë bërë mirë për t’i rregulluar vitin tjetër.

Deklarata juaj se shihnit Partizanin më favorit për titullin bëri shumë zhurmë. Përse erdhi në atë moment?

Në atë rast më kanë kërkuar një mendim dhe kam thënë që do doja të ishin fitues të gjithë, duke parë edhe pozicionin që kam. Nëse të gjitha ekipet e kampionatit e fitonin nga një tjetër titullin, do të ishte më mirë, por kjo nuk varet nga mua. Monotonia që Skënderbeu del gjashtë herë kampion, jo se është kjo skuadër, por edhe po të ishte Partizani, u ul shpresat ekipeve të tjera. Në këtë këndvështrim ndoshta do të ishte më mirë që Kupa të kishte ndërrim duarsh.

Në Pogradec dhe Peshkopi ka pasur dy episode të pakëndshme…

Janë dy gjëra jo njëlloj. Në Pogradec nuk u pranua rezultati, ndërsa në Peshkopi ajo që ndodhi ishte absurde. Të fitosh një ndeshje dhe pas shumë vitesh të jesh në Superiore e në fund të ndodhin gjëra të tilla, në vend që të festosh, është absurde. Ato incidente nuk kanë qenë pjesë e aktorëve sportivë. Nuk mendoj se komisionet sportive kanë qenë tolerante në këtë drejtim.

E meritoi Skënderbeu kampionatin?

Natyrisht që po, pasi është e pamundur të fitosh kampionatin pa e merituar. Kudo që të pyesësh për ekipet më të mira, të thonë se është Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi. Një nga këta të tre do të dilte kampion. Edhe po të fitonte Partizani, nuk do të ishte mëkat, pasi fitoi edhe transfertën në Korçë.

Ndieni keqardhje për Tiranën?

Tirana është klub i traditës, ka marrë shumë trofe dhe me tifozë. Në kampionatet e fundit ka marrë atë që meriton. Nëse do të ishte më lart, do të ishte më mirë. Niveli i lartë do ta zbukuronte më shumë kampionatin.

Megjithatë, tifozët ankohen se e keni kapur me ta, për dënimet që u keni dhënë si atyre, ashtu edhe Muçës…

Ata kanë një lloj të drejte, por fillimisht duhet të kërkojnë te vetja fillimisht rezultatin dhe “fairplay”- n në futboll që të mos ketë dënime. Nuk mendoj se ajo që ndodhi në derbi u takon atyre, por është pjesë e ndonjë individi, jo e “Fanatics”. Komisionet japin dënim për mungesë në organizim. Ndërsa gjesti i Muçës, të cilin e njoh, është lojtar i mirë e djalë shumë i mirë dhe mund të kishte ecur nga pikëpamja sportive, madje ka qenë edhe pjesë e Kombëtares. Por në atë moment ka gabuar. Një futbollist duhet të bëjë futbollistin, nuk ka pse të bëjë thirrje kundër rivalit. Muça ka qenë një futbollist shembullor dhe për këtë gjë mund të ketë rrethana lehtësuese, por gjesti është për t’u dënuar.

A vazhdojnë të vijnë në FSHF raporte për trukime ndeshjesh?

Patjetër që ka. Edhe gjatë këtij edicioni, por janë shumë herë më pak se në të shkuarën. Ndoshta aktorët janë ndërgjegjësuar apo përqendruar më shumë te loja. Por ne jemi duke marrë masat që këto gjëra të mos ndodhin në kategoritë e ulëta. Aty ka pak interes, pasi në Kategorinë e Parë një skuadër ngjitet, një bie dhe të tjerat krijojnë komoditetin për të bëjë tolerime dhe këto janë të rrezikshme. Sezonin e ardhshëm duhet të mendojmë skema të tjera organizimi që mundësia e tolerimit të minimizohet.

Po për Superioren?

Gjatë gjithë këtij edicioni nga kompania që është pajtuar nga UEFA për këtë çështje, kanë ardhur katër ose pesë informacione në total për trukime. Nga vendet e para që kemi qenë në Europë për trukimet, tani jemi në vendet e fundit. Provat për trukim janë të vështira, por dyshimet që vijnë janë të kompanive të basteve. Kur bastet e suksesshme janë të nivelit të lartë, ndeshja jep indicie për trukim.

Ju kanë nisur emocionet për ndeshjet e Kombëtares?

E pres me shumë kënaqësi Europianin. Jo vetëm pas kualifikimit të Kombëtares, por gjithmonë e kam pritur kështu. Ndonjëherë pyes veten nëse është ëndërr apo e vërtetë. Jam i bindur se çdo shqiptar do të ndjekë ndeshjet e Kombëtares, pasi një kualifikim i tillë më parë ka qenë utopik. Nuk kemi asnjë presion apo emocion se ku duhet të shkojmë apo të arrijmë. Sa më gjatë do të rrimë në Francë, më shumë do të kënaqemi.

Mungesa e Salihit vazhdon të prodhojë debat…

Nuk jam i bindur se trajnerët kanë gjithmonë të drejtë në zgjedhjet që bëjnë, por kjo është një e drejtë ekskluzive e tyre. Mbaj mend në vitin 2008, kur Spanja u shpall kampione Europe, dhe Raul nuk ishte pjesë e Kombëtares, dhe diskutimi ishte shumë i madh.

Edhe unë mund të jem pjesë e atyre që Raul duhej të ishte, por ja që nuk ishte. Edhe mund të jem pjesë e mendimit që Hamdi Salihi duhej të ishte në Francë, por ndoshta e kam edhe për arsye të njohjes personale dhe emocioneve që më ka dhuruar për kaq vite. Trajneri bën edhe zgjedhje taktike, për mënyrën si do të luajë skuadra.

Mua më vjen keq edhe për shumë të tjerë që nuk janë në këtë skuadër. Edhe Alban Meha, Valdet Rama, Vila dhe Hyka mund të ishin. Por këto zgjedh stafi teknik. I kam thënë trajnerit kohë më parë që në Austri të merrte 23 futbollistë dhe jo 27, pasi do të jetë e vështirë që të heqë katër.

Duke parë formatin e grupit, ka shanse që të kalohet grupi?

Ekipi duhet të japë maksimumin pa presion dhe emocion. Asgjë nuk është e parashikuar. Ne mund të bëjmë tre rezultate pozitive, por edhe tre negative. Asnjë skuadër nuk besoj se është e dobët apo me diferenca të mëdha. Në letër normalisht që ka. Por futbolli ka treguar se diferencat nuk janë të mëdha. Gjithçka mund të bëjmë. Ne nuk duhet t’ua kërkojmë të kalojnë grupin. Duhet t’i falënderojmë që kanë arritur këtu. Sa më gjatë do të na çojnë, aq më shumë do t’i falënderojmë.

E dëshironi shumë kalimin e grupit?

Ku ka njeri që nuk do të shkojmë sa më gjatë në Europian? Pse jo të shkojmë edhe në finale, të marrim edhe kupën. Por nuk është e udhës të bëjmë presion. Superkënaqësi është që kemi shkuar deri atje. Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur ekipi kombëtar fiton një ndeshje dhe shikon shumë njerëz që krenohen me simbolet kombëtare.

Sa ka ndikuar negativisht presidenti dhe federata për një largim të mundshëm të De Biazit tek Italia?

Nuk ka lidhje fare. As vetë trajneri dhe ne nuk jemi marrë me këtë punë. Që në momentin e parë që kishte diskutim mediatik se De Biazi do të ishte një nga kandidatët, u ndjeva mirë që ne kemi një trajner kaq të mirë që diskutohet për të qenë drejtues i një skuadre të madhe, e cila ka qenë kampione bote. E kam kontaktuar dhe më ka thënë se nuk kishte kontaktuar me asnjë në Itali. Është vetëvrasje që në një moment të tillë të mendosh një largim të tillë. Por unë i kam thënë trajnerit që në asnjë rast ne nuk duhet t’i prishim karrierën kurrkujt. Pas kompeticionit, nëse karriera e tij rregullohet duke shkuar diku tjetër, nuk do ta pengojmë.

Mendoni se ishte konferenca e fundit në Shqipëri, ajo që De Biazi bëri kur prezantoi listën?

Unë shpresoj të bëjë edhe një tjetër me kupën e Europës në Shqipëri. Po e bëmë edhe këtë, le të ikim të gjithë, nuk ka asnjë problem. Por kurrë mos thuaj kurrë.

Keni konfirmim nga kryeministri nëse do të jetë në tri sfidat që do të luhen në Francë?

Konfirmim kam që do të jetë në sfidën e parë, për të tjerat nuk di. Kryetari i Kuvendit do të jetë gjithashtu te ndeshja e parë, Presidenti i Republikës tek e dyta me Francën.

Ju kanë lënë një përshtypje të keqe diskutimet për stadiumin kombëtar?

Çdo lloj pune e ka oponencë, por këtë e kam pritur për kapacitetin, për formën apo gjëra të tjera. Por që të kishte oponencë nuk e prisja dhe më duket e pavend. Mënyra të tjera janë utopike apo të pamundura. Në kohën që nuk ke buxhet dhe kërkon partneritet privat, kjo është mënyra e vetme. Ne bëmë një garë për ta ndërtuar me koncesion dhe doli një firmë fituese.

Por në momentin që do të firmosej kontrata, firma në fjalë kërkoi garanci financiare nga shteti, gjë e cila ishte e pamundur. Kështu që formula aktuale është e vetmja. Aty nuk ka realisht qendër biznesi. Projekti realizon qëllimin sportiv, ka ambiente që ndihmojnë ekonomikisht realizimin e tij, por nuk ka qendër biznesi në projekt. Ne kemi sot përqark stadiumit biznese. Por ka ambiente të nivelit që nuk duhet të jenë më në atë vend.

Megjithatë nuk po nis puna…

Aktualisht është faza e plotësimit të dokumentacionit të marrjes së lejeve, pasi janë shumë gjëra për t’u mbyllur. Puna do të nisë shumë shpejt, madje punë ditësh. Ka pak gjëra për t’u spostuar që aty. Pothuajse nuk ka asgjë aty që mund të përdoret, pasi të gjitha gjërat janë të amortizuara.

Kosova është tashmë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s…

Edhe kjo është në listën e gjërave të bukura që kanë ndodhur në 2016-n për futbollin shqiptar. Ka qenë një dëshirë dhe punë e nisur prej shumë vitesh, dhe them që është ngjarje e rëndësishme për Kosovën. Është edhe një konsolidim për shtetin e Kosovës. Jam vërtet i kënaqur që kam qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"