Interi sfidon Atalantën, një pikë i siguron Championsin dhe… rinovimin e Inzagit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2023 | 12:22

Interi sfidon Atalantën, një pikë i siguron Championsin dhe… rinovimin e Inzagit

Simone Inzagit dhe Inter it u mjafton vetëm një pikë në sfidën e parafundit në kampionat për të siguruar kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Champions League. Sot në mbrëmje ndaj Atalantës, zikaltrit do të tentojnë të realizojnë një tjetër objektiv, që do t’i lejojë të mendojnë të qetë për finalen e 10 qershorit ndaj Mançester Sitit.

Soccer; Champions League: Fc Inter vs Milan

Kjo finale në fakt është trajtuar jo pak herë si faktori që po shpërqendron skuadrën zikaltër në këtë fundsezoni, diçka që e kanë mohuar lojtarët dhe vetë trajneri. “Po bëhen 20 ndeshje në dy muaj dhe sigurisht që nuk është aspak e letë të rikuperosh energjitë fizike dhe psikologjike, por të gjithë po bëjnë maksimumin. I gjithë fokusi ynë është tek Atalanta dhe më pas do të jetë te Torino. Duam të fitojmë jo vetëm për të blinduar zonën “Champions”, por edhe për të mbërritur në formën e duhur në finale”, tha Inzagi.

RINOVIMI – Nga ana tjetër, Inzagi është konfirmuar në stolin e Interit edhe për një vit nga gjithë kryesia e Interit, si nga presidenti Stiven Zhang deri te Marota e Zaneti. Pas një ecurie jo të mirë në kampionat, trajneri është diskutuar shumë dhe ka qenë në prag të shkarkimit, por mbërritja e Interit në finalen e Champions League që pakkush e kishte imagjinuar në nisje të sezonit ka ndryshuar tërësisht kurs tek Interi. Sot, përveç qëndrimit deri në 2024-ën që ia siguron kontrata e tij, 47- vjeçari është në prag të zgjatjes së saj.

Siç raporton “Corriere dello Sport” me përfundimin e sezonit, në pjesën e dytë të qershorit, agjenti Tulio Tinti do të ketë një takim në selinë zikaltër, ku do të diskutohet rinovimi i trajnerit. Edhe pse ende pritet të zbulohet kohëzgjatja e saj, pritet që rroga e trajnerit të mbërrijë të paktën në 6 milionë euro nga 5.5 milionët aktualë që përfiton.

NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"