Interi për titull, dorëzohet Juventusi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2012 | 13:01

Interi për titull, dorëzohet Juventusi

Interi fiton në Torino. Rezultati 3-1 me përmbysje kundër Juves është një ulërimë, çliruese, por në të njëjtën kohë edhe një thirrje për sfidë, sepse tashmë zikaltrit janë vetëm 1 pikë larg kreut dhe zyrtarisht në garë për titullin kampion, në garë për t’i zbritur nga froni kampionët e Italisë. Dhe arsyet që e konfirmojë këtë janë të forta, sepse Interi mundi një skuadër që prej 49 ndeshjesh me radhë, ose më saktë ka kaluar tre kampionate radhazi pa njohur humbje. Një dopietë e Militos dhe një gol i Palasios replikojnë golin e Vidalit në sekondat e para, një goditje që mund të kishte qenë vdekjeprurëse për skuadrën e Stramaçonit, mbi të gjitha në anën psikologjike, duke qenë se goli nisi nga një kundërsulm në pozicion të parregullt. Kurrë më parë nuk ishin parë aq shumë goditje klasi në një takim të vetëm, shumë goditje me thembër nga ana e të dyja skuadrave, edhe pse diçka e tillë ishte më shumë diçka e detyrueshme nga pasimet e gabuara në fushën e lojës, nga të dyja skuadrat. Juventusi nga ana e saj paguan shtrenjtë një repart sulmi ku mungon lideri, aq më shumë pasi Vuçiniç ndalet në bokse pas pjesës së parë, ndërsa Bendtneri dhe Xhovinko as që tentojnë të frikësojnë portën e Interit. Por, kundrejt bardhezinjve, Interi ka një sulm stabël, madje një sulm të frikshëm që dje bëri diferencën në fushë.
Goli i Vidalit Juventusi e nis në mënyrë bombastike. Vidal shënon vetëm pas 18 sekondash, duke dërguar në rrjetë një gjuajtje-kros të Azamoah. Ky i fundit niset në pozicion jashtë loje, anësori Preti nuk e akordon, prandaj Juvja është në avantazh. Me golin e 6-të të Vidalit në këtë kampionat bardhezinjtë këmbëngulin, duke shfrytëzuar një tronditje të zikaltërve, por ai që mban në jetë Interin është portieri Handanoviç, i cili pak sekonda më pas ndalon Markizion, i lëshuar në portë nga një asist magjik i Pirlos.
Palasio shënon, por anulohet Mjafton pritja e portierit të Interit për të ndezur “makinën” e Stramaçonit dhe Palasio barazon menjëherë, duke shfrytëzuar një krosim nga e majta të Kambiasos, por argjentinasi është në pozicion jashtë loje. Kolegu i Pretit është shumë i vëmendshëm, prandaj Bufoni mund ta nxjerrë pa problem topin nga porta e tij. Në minutat që pasojnë, vazhdojnë të shpërdorohen raste, por në përfundim të pjesës së parë Juventusi e sheh veten në avantazh të një goli, edhe pse Interi i përgjigjet me forcë dhe me lojë të denjë.
Barazon Milito Pjesa e dytë për Juven nis me Bendtnerin në vend të Vuçiniçit, i dëmtuar në pjesën e parë. Mungesa e malazezit u prish shumë punë kampionëve në fuqi, sepse mbrojtja e Interit është në kaos, por Juventusi vazhdon të gabojë, ashtu sikurse bën në tri raste Palasio që nga pozicion diagonal, por i favorshëm, në zonën torineze e dërgon topin gjithmonë mbi traversë. Por, në mënyrë të papritur, Taljavento tregon me gisht pikën e penalltisë për një tërheqje fanellë në hyrje të zonës të Markizios kundrejt Militos, vendim ky i akorduar nga arbitri i portës, Orsato, që pas këtij vendimi do të goditet me sende të ndryshme nga ultrasit bardhezi. Gjithsesi, vendimi nuk kthehet mbrapsht dhe nga 11 metrat Milito barazon shifrat. Kaq mjafton që ndeshja të ndizet, të bëhet e ashpër, sepse juventinë e interistë nuk bëjnë më komplimente kundrejt askujt, por ndërhyrjet janë nga më të rrezikshmet.
Milito dhe Palasio Juventusi nis të gabojë dhe kur Pirlo humb topin në mesfushë gjërat bëhen shqetësuese, sepse nga një prej këtyre gabimeve lind goli i përmbysjes, me autor sërish “Princin e golit”, Militon. Guarin lëshohet i vetëm drejt portës dhe në hyrje të zonës godet fort. Bufon reagon, por grushtimi i tij shndërrohet në një asist për argjentinasin që tund rrjetën. Juventusi duket i gjunjëzuar dhe mundohet të reagojë, por Bendtner nuk arrin të shënojë me portën e boshatisur në një pozicion të vështirë nga vija fundore, Kualiarela tenton golin me disa “predha” nga distanca, por që Juventusi të kapitullojë mjafton pak dhe goditje finalen e jep Palasio, i cili përfiton nga një kundërsulm i dështuar në tentativën e parë nga Nagatomo, por që korrigjon duke pasuar saktë për shokun e skuadrës që përballë Bufonit nuk fal dhe 3-1. Interi feston, meritoi dhe shkundi një perandori, në të cilën nuk fitonte që nga 2005, ndërsa tani nis të ëndërrojë për një objektiv edhe më të madh, “pushtimin” e kampionatit dhe ngritjen e titullit.

Stramaçoni: Fituam sfidën e ndershmërisë
“U përpoqa që ta përgatisja mirë ndeshjen, por më shqetësoi disi sjellja e drejtuesve të Juventusit, kur panë formacionin tonë. Ndoshta tani Marrota ka ndryshuar mendim…”. Kështu është shprehur trajneri i Interit, Adrea Stramaçoni, në përfundim të sfidës ndaj Juventusit: “I treguam të gjithë Italisë që jemi më të fortë se Juventusi. Me tredhëmbëshin ishte mënyrë më e mirë që për të përballeshim me Juven. Bardhezinjtë vrapojnë në kolektiv, por ne i bllokuam, duke mos u dhënë asnjë pikë referimi me tre sulmuesit tanë. Zëvendësimi i Lishtsteiner i detyroi që të luanin me katër mbrojtës. Ne edhe mund të ishim mundur, por përsëri unë vendosa që të luaja me tre sulmues”. Stramaçoni lë të kuptohet se skema e tij ka rezultuar fondamentale në këtë ndeshje: “Unë nuk e bëj të ditur formacionin asnjëherë përpara ndeshjes, sepse nuk dua që t’i jap asnjë pikë referimi kundërshtarit. Kur thashë që do të luaja me tre sulmues, juventinët u habitën, por çelësi i suksesit tonë ka qenë fakti që njëri prej të tre sulmuesve tanë mbulonte gjithmonë Pirlon. Pastaj, për sa i përket aspektit psikologjik, djemtë treguan se kanë fituar siguri në forcat e tyre, ndaj arritën që ta përmbysnin rezultatin”. Stramaçoni tregon se nuk i pëlqen që t’i komentojë vendimet arbitrare dhe driblon pyetjet mbi gjykimin e arbitrit Taljavento: “Juventusi kaloi në avantazh me një gol të dyshimtë, për të cilin unë nuk dua që të flas. Ndërsa ne folëm në fushë, fituam në fushë, fituam ndeshjen e ndershmërisë”. Në përfundim Stramaçoni bën ironikun dhe rikthehet të komentojë batutat e Marrotës: “Fakti që Marrota bën ironi mbi dijet e mia mbi futbollin më ka befasuar shumë. Megjithëse dua t’i përmend zotërisë në fjalë se si ka mundësi që Juventusi pas 35 minutash lojë largon një mesfushor dhe fut në fushë një mbrojtës?”. Strama nuk harron t’i përgëzojë djemtë e tij: “Reagimi ka qenë gjëja më e rëndësishme. Pas golit të parë, Interi mund të pësonte edhe të dytin, por djemtë u treguan fantastikë, duke i marrë në dorë frerët e lojës. Pavarësisht golit të pësuar, ne të gjithë kishim besim te fitorja dhe fusha na dha të drejtë”, – përfundoi Stramaçoni.

Alesio: Zikaltrit na trembën, janë kundërshtarët e titullit
“Për fat të keq humbëm pas 49 ndeshjesh, Interi arriti t’i shfrytëzonte siç duhet rastet për gol, kurse ne jo”. Zëvendëstrajneri i Juventusit, Anxhelo Alesio, e ka komentuar kështu humbjen ndaj zikaltërve: “Pavarësisht humbjes, ne jemi krenarë për paraqitjen tonë. Nuk besoj se kjo ndeshje do të ndikojë psikologjikisht te ne. Ne krijuam të paktën tri raste të pastra për gol gjatë 10 minutave të para të ndeshjes, kurse Interi bëri vetëm një gjuajtje me Kasanon. Gjatë pjesës së dytë e patëm shumë të vështirë të sulmonim, por po t’i kishte shënuar Markizio ato dy raste tani do të ishim këtu duke komentuar fitoren e Juventusit. Megjithatë, si ne dhe Interi, do të luftojmë për titullin deri javën e fundit, por tani zikaltrit të trembin. Edhe pse më vjen shumë keq për ata tifozë, të cilët na mbështetën deri në fund, duhet ta pranojmë këtë humbje dhe të shikojmë përpara”. Champions? Sfida me danezët do të ketë një shije tjetër. Vuçiniç ka pësuar një dëmtim të lehtë, por shpresojmë që ta kemi gati sa më shpejt.

Morati: Bravo skuadrës, vuri drejtësi pas golit të parregullt!
Presidenti i Interit, Masimo Morati, e “përkëdhel” skuadrën pas fitores në Torino. Ndeshja nisi menjëherë me golin e shpejtë të realizuar nga Arturo Vidal: “Pas golit të menjëhershëm të Juventusit pas 17-të sekondave lojë, nuk kuptohej që lojtari ishte në pozicion të parregullt dhe mendova: “Shkojmë keq…, më pas karakteri i skuadrës vuri në vend drejtësinë”. Stramaçoni konfirmohet “special 2” pas Murinjos, por Moratit nuk i pëlqejnë krahasimet: “Nuk ka nevojë që t’i krahasojmë njëri me tjetrin. Stramaçoni është kokulur, i zoti, inteligjent dhe i befasishëm, mendoj si i ka të gjitha cilësitë për të bërë mirë”. Për sa i përket tredhëmbëshit, presidenti ka zbuluar: “E dija që tri ditë më parë se si do të luanim. Interi mendon për titullin? Jo, mendoj se ky është një sezon tranzicioni, i cili në fund mund të rezultojë tepër interesant. Më pas, të ndodhë çfarë të ndodhë”, – deklaroi Morati.

“Shumë gabime, por humbëm vetëm një betejë”
Mbrojtësi i Juventusit, Xhorxhio Kielini, është i pari nga juventinët që bën autokritikë në përfundim të ndeshjes me Interin: “Tredhëmbëshi i zikaltërve na vendosi në vështirësi. Por mbrojtja jonë ishte e shpërqendruar, bëmë gabime trashanike, unë i pari nuk dhashë maksimumin tim në fushë. Ne krijuam raste të ndryshme për gol, të cilat duhet që t’i kishim konkretizuar më mirë dhe tani do të flisnim ndryshe. Megjithatë, Interi e meritoi fitoren, por asgjë nuk ka mbaruar. Humbëm beteja e parë të një sezoni të gjatë”.

“Nderime Interit, ne na mundi frika jonë”
Portieri i Juventusit, Xhixhi Bufon, është shprehur mjaft i dëshpëruar pas humbjes me Interin: “Nuk kemi se çfarë të themi, nderime Interit për fitoren! Ne bëmë ndeshjen tonë dhe nuk e fituam atë. Për fat të keq ndihej një farë frike në mbrojtje, pastaj nuk mund të shpresosh që ta ndalësh kundërshtarin gjithmonë në momentin e fundit. Megjithatë, tani duhet t’i përveshim mëngët për të përgatitur sa më mirë ndeshjen me danezët, të cilën duhet ta fitojmë me çdo kusht”, – ka thënë Bufon.

JUVENTINI
Marrota i përgjigjet Stramës
Administratori sportiv i Juventusit, Xhuzepe Marrota, i është përgjigjur kështu ironisë së trajnerit zikaltër, Andrea Stramaçoni: “Sapo e takova ia shpreha qartë mendimin tim mbi modulin me tre sulmues teknikut zikaltër. Duke i thënë se ishte shumë i guximshëm që vinte në Torino të luante me tre sulmues. Unë mendoj se i kam bërë thjesht një kompliment dhe kaq por, nëse ai kërkon që të hapë polemika, kjo është puna e tij”. Më tej drejtuesi bardhezi shton: “Mund edhe të kishim fituar ne, në qoftë se sulmuesit tanë do të ishin më të ftohtë. Por Interi u tregua e zonja, duke e merituar fitoren”.

ARGJENTINASI
Milito, tani beson te titulli
Në përfundim të takimit ndaj Juventusit, heroi i Interit, Diego Milito, i cili i hapi rrugën fitores së zikatërve me një dygolësh, e ka komentuar ndeshjen duke thënë: “Luajtëm një ndeshje të fortë, pasi përballë kishim kampionët e Italisë, të cilët kishin 49-të ndeshje pa humbur. Kemi reaguar mirë pas golit të shënuar në pozicion jashtë loje të Juventusit dhe e kemi merituar fitoren”. Titulli? “E kam thënë gjithmonë që do të bëjmë rrugën tonë deri në fund, edhe pse përpara kishim një rivale të fort siç është Juvja. Megjithatë, ne do të luajmë kampionatin tonë dhe do të synojmë të fitojmë”, – përfundoi Milito.

KAPITENI
Zaneti: Askush më i uritur se ne
Nuk i ka fshehur emocionet pas fitores ndaj Juventusit kapiteni i Interit, Havier Zaneti, i cili në fund të ndeshjes është shprehur: “Kemi bërë një ndeshje të madhe, ndërsa jemi një grup i ri dhe me shumë dëshirë për të qenë protagonistë. Tani do të synojmë deri në fund për të fituar titullin. Në fushë luajtëm me personalitet dhe zemër. Skuadra diti të reagonte pas disavantazhin. Në fund të pjesës së parë kërkuam që të bisedonim me gjyqtarin për episodin e ndodhur, por nuk kishte kohë, pasi filloi pjesa e dytë. Me vjen mirë që puna ime dhe e Kambiasos po vlerësohet këtë sezon, duke qenë se jemi kritikuar shumë vitin e kaluar”, – tha Zaneti.

MESFUSHORI
Kambiaso ul euforinë në skuadër
Është i lumtur edhe Esteban Kambiaso në fund të ndeshjes ndaj Juventusit: “Jam shumë i lumtur nga kjo fitore. Trajneri e kishte përgatitur në mënyrën më të mirë takimin, pasi sulmuam që në fillim kundërshtarin. Kjo është sjellja e një skuadre të madhe. Goli i Juves mund të ishte fatal për moralin, por ditëm si të reagonim. Nuk e di nëse është momenti deçiziv, por kjo fitore na jep përgjegjësi të mëdha. Kemi një projekt të rëndësishëm, nuk e di se kur do të kthehemi te suksesi, por dëshira për të fituar është e madhe. Duhet thënë se ky është vetëm fillimi, ndaj duhet të qëndrojmë të qetë për vazhdimësinë”, – tha Kambiaso.

IRONIA E ZONJËS KASANO
“Tani mund ta lind e qetë fëmijën”
Entuziazmi i fitores së Interit nuk ka lënë pa prekur edhe gruan e sulmuesit zikaltër, Antonio Kasanos. Në profilin e saj zyrtar në rrjetit social “Tëitter”, Karolina Kasano në përfundim të takimit Juventus- Inter u shpreh e lumtur për fitoren e zikaltërve 3-1, duke shkruar: “Fitorja e Interit na dhuroi emocione të mrekullueshme. Urime skuadrës zikaltër për fitoren në Torino. Tani mund ta lind e qetë fëmijën tim të ardhshëm. Jam shumë e lumtur që Interi fitoi, pavarësisht se im shoq nuk shënoi, – shkruhej në profilin e zonjës Kasano.

Taljavento u kushtëzua në gjykim, “Sky” hedh bombën…
Juventusi përndiqet nga gabimet e gjyqtarëve apo gjyqtarët kanë qejf të ngrenë diskutime dhe polemika mbi Juventusin? Një pyetjeje të tillë është e vështirë t’i japësh një përgjigje, por fakti është që pas fakteve të Katanias, ku Juventusit iu fal disavantazhi i një goli të rregullt të Bergesios, më pas ata fituan me një gol të Vidalit, që ashtu si dje nisi nga një pozicion i parregullt (aksion i Bendtnerit). Dhe si për ironi të fatit, dje mjaftuan 18 sekonda që mbi Juventusin të ngrihej një tjetër re e zezë që lidhet me arbitrit. Azamoah niset në pozicion të parregullt dhe pason për Vidalin, i cili shënon. Sikur të mos mjaftonte kjo, Lishtsteiner, i ndëshkuar me karton të verdhë në të 30-ën, bën një ndërhyrje shumë të rrezikshme ndaj Palasios në të 37-ën, e cila meritonte kartonin e verdhë, kartoni i dytë me këtë ngjyrë që do të akordonte automatikisht të kuqin. Por Taljavento e ka falur mbrojtësin zviceran, i cili u zëvendësua nga trajneri bardhezi, pak sekonda pas faullit. Gjithsesi, në dhomat e zhveshjes së arbitrave, skuadrave dhe ambienteve të tjera të brendshme është e lehtë të gjesh televizorë dhe, sipas burimeve brenda stadiumit, arbitrat i kanë parë gabimet e tyre. Aq sa me fillimin e pjesës së dytë, gjykimi i Taljaventos dhe i ndihmësve të tij në favor të Interit u duk disi i kushtëzuar, fakt është 11-metërshi jo totalisht i pamohueshëm që iu akordua Militos për një tërheqje fanelle, apo kartonët e tjerë të verdhë në favor të Juves. Me pak fjalë, Paolo Taljavento gaboi gjithçka dje.
Bomba e rrjetit “Sky” – Gazetari Andrea Paventi, i vendosur buzë fushës, e ndoqi nga afër të gjithë ngjarjen e golit të Vidalit. Përveç protestave të lojtarëve të Interit, korrespondenti i rrjetit “Sky” thekson se asistenti Preti, edhe pse nuk e ngriti flamurin në rastin e aksionit të golit të Juves, pak sekonda më pas i ka komunikuar Taljaventos nëpërmjet kufjes se pozicioni jashtë loje ishte një gabim i tiji dhe mbase vendimi mund të kthehej mbrapsht. Por Taljavento nuk ka pranuar dhe ka blinduar vendimin e tij, duke i akorduar golin Juves. Nëse diçka e tillë është e vërtetë, duke qenë se të gjitha bisedat mes arbitrave në 90 minuta regjistrohen, atëherë Taljavento duhet të japë shpjegime për këtë gjë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA / PARID AGOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"