Luan Shatku, basketbollist dhe mësues i shquem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 21:15

Luan Shatku, basketbollist dhe mësues i shquem

FILIP GURAZIU

Filip Guraziu

Koleg në sport e në punë, mik në jetë

Nuk asht e thjeshtë me rreshtue kuj timet e mendimin e duhun për shokë e miq që në jeten e tyne kanë dhanë të tanë forcën fizike, mendore e shpirtnore në favor të zhvillimit e të përparimit të shoqnisë shqiptare si në rastin e të paharrueshmit Luan Shatku. Ishte viti 1956 kur unë u regjistrova në klasën e parë të gjimnazit në Shkodër. Mësues fizkulture kisha të ndjerin Esat Haxhi, kapitenin e skuadrës shkodrane të basketbollit “Puna”.

Foto

Klasa e ime (e parë D) i kishte dritaret nga ana e “Kandit sportiv Spartak”, gja që na mundësonte me ndjekë (pa pagesë) ndeshjet e kampionatit kombtar të basketbollit si edhe stërvitjet e ekipit, që në atë kohë ishte ndër ma të mirët në Shqipni. Aty për herë të parë, prej larg, u njoha me sportistin e ri të skuadrës së basketbollit “Puna” e Shkodrës, Luan Shatku. Jo vetëm mue, por çdo njenit që ndiqte lojën e basketbollistëve shkodranë të asaj kohe, pa nënvletësue askend, shikimi u fiksonte tek i riu shtatnaltë, me fizik gladiatori që quhej Luan Shatku.

Ajo periudhë “mbjelli” pasionin tim për sportin e basketbollit, që ishte e mbeti parësor për të tanë jeten time. Në pesëshen e parë të skuadrës “Puna” e Shkodrës, në vjetët 1956 – 1960, bajshin pjesë Esat Haxhi, Muhamet Sokoli, Vebi Ademi, Luan Shatku, Skënder Osmani e Sander Laca, personalitete të basketbollit shqiptar ndër të cilët u dallojshin dy ” qendrat shtatnaltë” të ekipit, Luan Shatku e Skënder Osmani. Ekipi i Shkodrës mund të konsiderohet “pionieri” i lojës së basketbollit shqiptar për organizimin e lojës me “dy qendra”.

Veçoritë individuale të dy qendrave shtatnaltë gradualisht ndikuen që Luan Shatku gjatë lojës t’u poziciononte në “zonë”, kurse Skënder Osmani, rreth saj. Duhet kujtue se Luan Shatku ishte ndër të parët basketbollistë që përdori “me shumë sukses” gjuejtjen me hark”. Kontributi i tij për skuadrën vinte edhe prej veçorisë së fizikut të tij; i gjatë por edhe voluminoz, gja që i jepte epërsi sidomos në luftën për topin nën tabelë. Luani shquhej për mbrojtje të mirë, organizim loje në përputhje me porositë e trajnerit, shpirtin e fitores e shumë pak gabime gjatë lojës.

foto 2

Në atë periudhë, interesimi i shkodranëve për basketbollin u rrit së tepërmi. Mija sportdashës ndiqshin jo vetëm ndeshjet zyrtare, por edhe stërvitjet e ekipit e në kët situatë, natyrisht që Luan Shatku kishte kontribut të pamohueshëm, sepse me fizikun, dinamizmin e kambënguljen që e karakterizonte frymëzonte shpresën për fitore të sportdashësve shkodranë. Karriera sportive e Luan Shatkut kunorëzohet me fitoren e dy titujve kampion kombtar (në vjetin 1964 me Partizanin e në vjetin 1967 me Vllazninë) si dhe me fitoren e katër Kupave të Republikës (në vjetët 1957, 1958, 1959, 1967 me Vllazninë).

Ishte lojtar i padiskutueshëm i përfaqësueses shqiptare edhe i pesëshes së parë. Në vjetin 1960 përfaqësoi Shqipninë në Ballkaniadën që pat qenë zhvillue në Bullgari. Për merita të veçanta në fushën e basketbollit, në vjetin 1958 shpallet “Mjeshtër Sporti”, kurse në vjetin 1995 mbas ndarjes nga jeta, nderohet me titullin ma të naltë sportiv “Mjeshtër i Merituem i Sportit”. Gjithashtu u nderue prej Presidentit të Republikës z.Rexhep Mejdani në vjetin 2000 me medaljen “Nderi i Sportit Shqiptar”.

thumbnail-1-4

Megjithëse rrethanat e jetës kanë ndikue që me të ndjerin Luan Shatku të luejmë së bashku si titullarë në skuadrën e Vllaznisë vetëm në vjetin 1966, miqësinë personale me Luanin e kam pasë të veçantë. Kemi pasë mirëkuptim të plotë në të gjitha drejtimet. Më kujtohet se më thirrte me dashamirësi “Filo”. Në vjetin 1966 kemi shërbye si mësues matematike në të njajten shkollë, përshtypjet personale e jo vetëm, për aftësitë e tija si pedagog mbeten tepër pozitive; i dashun me nxanësat, i dashun me kolegët, i papritueshëm më ndihmue çdokend, i saktë, i qeshun, me nji fjalë ishte me plot kuptimin e fjalës “zemra e shoqnisë”. Ishte i lumtun e shumë i dashun me familjen e tij. Më kujtohet se nji mbramje ndërsa po bajshim “xhiro” në rrugën kryesore të Shkodrës, më pati thanë:

“Filo, po më thonë , mos i llasto fëmijtë, kurse unë due me illastue e ç’ke me te ” sepse aty gjej gëzimin ma të madh të jetës sime, mandej cili fëmijë i llastuem prej familjeve tona mori rrugë të keqe?” Humbja parakohe e basketbollistit të madh e mësuesit të shquem të matematikës Luan Shatku ishte humbje tragjike, jo vetëm për familjen e tij të nderueme, por edhe për shoqninë shkodrane e ma gjanë.

Luani i mungoi familjes së tij në momentet ma të vështira, atëherë kur ishte ma i nevojshëm se kurr për përparimin e saj, por na mungoi edhe ne shokëve e miqve të tij e sot emocionalisht më mungon edhe mue, ndërsa po shkruej këto dy rreshta “In memoriam” për veprën e gjurmët pozitive që na la i paharrueshmi Luan Shatku. “Pushofsh në paqe Luan e gjithmonë të kujtoshim”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"