“Ia vlejti ta refuzoja Brazilin për Italinë”, fantazisti Zhorzhinjo del hapur: E meritoj “Topin e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2021 | 21:36

“Ia vlejti ta refuzoja Brazilin për Italinë”, fantazisti Zhorzhinjo del hapur: E meritoj “Topin e Artë”

E kaltra sivjet ishte ngjyra e Europës, të paktën për Zhorzhinjon. Pasi me atë fitoi Ligën e Kampioneve me Çelsin, me të njëjtën ngjyrë triumfoi edhe në “Uembli” me Kombëtaren e Italisë, duke ngritur në qiell trofeun e “Euro 2020”.

Zhorzhinjo

Dhe pa dyshim që nuk mund të kishte pasur 2 muaj më të bukur për fantazistin me origjinë braziliane, i cili pasi shënoi penalltinë decizive kundër Spanjës në gjysmëfinale, gaboi në finale, por gabimin e tij e justifikon:

“As që pata frikë kur gabova ndaj Anglisë, pasi isha i bindur që Donaruma do ta priste penalltinë e Sakas, – deklaron duke qeshur Zhorzhinjo. – Ishte gjithçka e organizuar për ta bërë më spektakolar fundin. Pavarësisht shakave, në atë moment m’u duk sikur më ra e gjithë bota sipër kokës, pasi duhej t’i kisha mbyllur unë hesapet me trofeun. Por, fatmirësisht ne italianët kemi në portë një fenomen apo mos ndoshta duhet ta quaj një jashtëtokësor”.

Dhe pas elozheve “pa doganë” për Donarumën, Zhorzhinjo tregon edhe ditën kur vendosi që mes Brazilit dhe Italisë të zgjidhte “Axurrët”. “Brazili për disa vite më kishte injoruar totalisht, ndaj edhe ftesën e tyre e shihja si diçka të largët. Prandaj, pranova të luaj disa ndeshje me Shpresat e Italisë, bëra disa miqësore me ‘Axurrët’, derisa në vitin 2017 erdhi edhe ftesa zyrtare, për takimin vendimtar me Suedinë, për t’u kualifikuar në Botërorin ‘Rusi 2018’.

Fatkeqësisht nuk ia dolën dhe në mendjen time u akumulua shumë rrëmujë, duke qenë se kisha refuzuar ftesën e Brazilit për Italinë në atë periudhë. Gjithsesi, sot më shumë se kurrë jam i bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur, ndonëse kur isha fëmijë ëndrra ime ishte të vishja bluzën e Brazilit”.

Fakti që ka fituar dy trofetë më të rëndësishëm të kontinentit, Zhorzhinjo është kandidat kryesor për fitimin e “Topit të Artë”, çmim për të cilin fantazisti 29- vjeçar thekson: “Në këtë botë kemi ardhur për të ëndërruar dhe për të betuar që t’i bëjmë realitet ato.

Ndaj dua të jem i sinqertë kur them se nëse ‘Topi i Artë’ jepet në varësi të trofeve sezonal, atëherë ai më takon mua. Por, nëse ky çmim vlerëson vetëm talentin, atëherë unë e di që nuk jam futbollisti më i mirë në botë, ndaj le ta fitojnë çdo vit një mes Mesit, Ronaldos apo Nejmarit. Çfarë roli kishte Mançini te unë dhe te Italia? Tek unë ashtu si te të gjithë, Roberto jo vetëm na vuri të luajmë në fushë sipas karakteristikave tona, por na detyroi të dëfrehemi, na largoi presionin dhe na besoi nga dita e parë. Ky Europian ishte sidomos meritë e tij”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"