Ia dolën të udhëtojnë drejt Serbisë, dy lojtarët e shohin të ardhmen e tyre te Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 23:20

Ia dolën të udhëtojnë drejt Serbisë, dy lojtarët e shohin të ardhmen e tyre te Besëlidhja

Besëlidhja tashmë ka nisur pushimet. Të fundit u larguan futbollistët serbë, të cilët kishin vështirësi në vendkalimet kufitare, por të mërkurën gjithçka u sqarua dhe ata udhëtuan drejt familjeve të tyre. Para largimit, portieri Gjorgje Vukashinoviç dhe mesfushori Dimitrie Çokiç u prononcuan për “Panorama Sport”, duke folur për sezonin që shkoi dhe të ardhmen.

Beselidhja goli

VUKASHINOVIÇ

“Eksperienca ime me Besëlidhjen ishte e shkurtër, vetëm gjysmë sezoni, pasi erdha në merkaton e janarit, i bindur nga Gjorgjeviç. Objektivi për ngjitjen e skuadrës në Superiore na bindi që të pranonim të vinim te Besëlidhja. Kur nisëm aktivitetin zyrtar, luajtëm pak ndeshje, pasi u ndërpre kampionati nga pandemia. Me rinisjen e sezonit u ndezën shpresat për vendin e parë, por nga disa gabime të evitueshme e mbyllën sezonin në vend të dytë.

Luajtëm dy ndeshje shtesë dhe në fund u mundëm nga Vllaznia, çka na dëshpëroi shumë. Në Lezhë kaluam një eksperiencë shumë të mirë, si në aspektin shoqëror e marrëdhëniet më njerëzit, ashtu edhe në atë profesional. Tani na mundësua largimi dhe po shkojmë të pushojmë në shtëpi. Gjatë kësaj kohe do të bisedojmë me presidentin për të ardhmen, pasi jemi nën kontratë me Besëlidhjen. Dëshira ime është të luaj përsëri me Besëlidhjen”.

beselidhja

ÇOKIÇ

“E kam veshur fanellën e Besëlidhjes që në merkaton e verës, kam ardhur në Lezhë në mes të korrikut të vitit të shkuar, bashkë me Milan Gjorgjeviç. Që kur kishim nisur bisedimet me Besëlidhjen, ishim njohur me objektivat e saj dhe ata më joshën të pranoja ofertën e skuadrës lezhjane. Në Lezhë përjetova shumë fenomene të rënda, tërmetin e 26 nëntorit që na tmerroi, por fatmirësisht në Lezhë nuk pati viktima.

Më pas, ashti si në gjithë botën, vendin e goditi Koronavirusi, çka na detyroi të ngujoheshim për 10 javë radhazi në shtëpi, por nga ana shëndetësore jemi mirë dhe kjo ka rëndësi. Prindërit më përcollën me rezerva për në Shqipëri, por këtu gjeta një realitet krejt ndryshe dhe kjo më ka gëzuar shumë. Të gjithë na kanë respektuar si vëllezër. Besëlidhja ndaj rivalëve ka treguar nivel, por nuk ia dolëm të ngjiteshim. Dështuam në fund fare. Ky është futbolli, ku dështimi apo suksesi të ndjek deri në sekondën e fundit. Jam nën kontratë me Besëlidhjen dhe do të kontaktoj me presidentin. Dëshirën e kam të vijoj me Besëlidhjen”.

Preng GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"