“I thashë jo Realit e Barçës për Interin”, legjenda Zaneti: Pujoli më falënderon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 23:58

“I thashë jo Realit e Barçës për Interin”, legjenda Zaneti: Pujoli më falënderon…

Fakti që Milan Shkriniar do të largohet me parametër zero, pasi konsiderohej një nga liderët e skuadrës, nuk është kapërdirë lehtë tek Interi. Kjo ama ka shërbyer për të vlerësuar edhe një herë tjetër atë që ka qenë flamuri i klubit për shumë vite dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

HAVIER ZANETI

Ish-kapiteni Havier Zaneti ka mbajtur veshur për 19 vite fanellën zikaltër dhe ka pasur gjatë kësaj kohe tundime shumë të mëdha, nga Real Madridi te Mançester Junajtidi e Barcelona, por ka vendosur gjithmonë me zemër, siç ka treguar në një intervistë për “Tuttosport”, ku ka rrëfyer shumëçka, nga marrëdhëniet me ish-trajnerët, te shoku i ngushtë i futbollit e kontributi në karrierën e Karles Pujolit.

Havier, kur i patët shkëndijat e para për futbollin?

Isha tre vjeç dhe më dhanë një top që nuk e lashë kurrë. Në një lagje dyqind metra larg shtëpisë, kishte një shesh dhe një fushë të vogël, ku filloi gjithçka. Ne jetonim pranë stadiumit të Independientes, nëna ime ishte një tifoze e madhe.

Në Argjentinë ishte magazinieri që lajmëronte tifozërinë kur skuadra hynte në fushë me anë të një shenje dhe atëherë tribuna shpërthente. Dridhesha kur e shikoja këtë dhe mendoja nëse ndonjëherë do të provoja edhe unë një ndjesi të tillë. Në fund ia dola.

Ishte dashuri me shikim të parë me Interin?

Mbërrita në Kavalese, mes gazetarëve, me një çantë ku ndodheshin këpucët e mia. Më kishin marrë nga Banfild, një ekip i panjohur, ndërsa bashkë me mua ishte transferuar edhe Rambert, që erdhi nga Independiente me të cilën kishte fituar kampionatin si golashënuesi më i mirë.

Përveç tij mbërritën edhe Roberto Karlos dhe Paul Ins atë vit. Unë isha i huaji i katërt dhe në atë kohë vetëm tre mund të luanin, por fati deshi që unë të aktivizohesha menjëherë dhe lindi një lidhje shumë e fortë. Më bën të ndihem si në shtëpinë time menjëherë.

Ishte një aferë ajo me Realin në vitin 2001?

Kisha folur me Valdanon, trajnerin e tyre në atë kohë dhe ai më donte në Madrid. Ishte gjithçka e kryer, por në fund vendosa të qëndroja në Milano dhe ia thashë këtë edhe presidentit Morati.

Sa ju kishin ofruar?

Një kontratë shumë më të rëndësishme se ajo që kisha tek Interi. Megjithatë, përveç parave, mora parasysh familjen, marrëdhënien me tifozët dhe faktin që doja të lija gjurmë në Milano. Dhe mendova: “Nëse shkoj te Reali, unë jam një nga shumë të tjerët”. Do të kisha fituar patjetër aty, por doja ta bëja me Interin. Ishte një zgjedhje e guximshme, por ka edhe gjëra të tjera…

Nëse mund të na i tregoni?

Mançester Junajtid dhe Barcelona gjithashtu më kanë tentuar. Nuk e mbaj mend nëse ishte 2001 apo 2002, por unë isha me Paulan, gruan time, në aeroport ku takova Fergusonin. Pasi më përshëndeti më pyeti kur më mbaronte kontrata, por unë isha i lumtur në Milano, pavarësisht faktit që ishin vite shumë të ndërlikuara për Interin. Diku tjetër do të kisha pasur një karrierë të rëndësishme, por nuk do ta ndieja veten si tek Interi.

Po me Barcelonën çfarë ndodhi?

Që unë “lançova” Pujolin dhe ai ma thotë gjithmonë këtë. Pujol ishte në ekipin e të rinjve dhe kishte filluar të bënte disa paraqitje edhe në ekipin e parë. Një ditë Van Gal e thirri dhe i tha: “Dua të nënshkruaj me mbrojtësin e djathtë më të fortë në botë që është Zaneti. Nëse nuk nënshkruajmë, do të qëndrosh ti”. Karles më falënderon akoma sa herë që më sheh.

Çfarë kishte në atë përqafim me Mesin në “Lusail”?

Shumë ndjenja. E Kam parë që kur nisi rrugëtimin e tij me kombëtaren dhe e meritonte këtë kënaqësi. E falënderova sepse kurorëzoi ëndrrën e të gjithë argjentinasve. Kishte një atmosferë të veçantë në Doha ato ditë, të gjithë donin që Leo të ngrinte kupën.

Keni një mik të ngushtë në futboll?

Kam Zamoranon që është kumbari i Sol dhe Kordoba. Përveçse shoku im i dhomës tek Interi, lidhja jonë shkon përtej futbollit.

A jeni ndierë të tradhtuar nga Hoxhson dhe Lipi?

Bëra një gabim me Hoxhson, sepse nuk e kuptova që ai më zëvendësoi në finale me Shalken, sepse donte që Berti të ekzekutonte penalltinë.

Mosmarrëveshja përfundoi atje dhe edhe tani, kur takohemi, ne qeshim për këtë. Nga ana tjetër, nuk më pëlqeu qëndrimi i Lipit, kur gjërat shkojnë keq, nuk duhet të kërkosh fajtorë, por zgjidhje. Ndoshta, arsyeja që fshihej pas këtij qëndrimi, ka qenë dëshira e tij për t’u larguar…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"