I shënoi gol Tiranës, 18-vjecari pritet të testohet në Greqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2018 | 10:15

I shënoi gol Tiranës, 18-vjecari pritet të testohet në Greqi

Mesfushori i Tomorit, Erald Hyseni, ishte protagonisti kryesor i beratasve dhe autori i golit të vetëm për të besuarit e trajnerit Arbri në ndeshjen kundër Tiranës.

erald hyseni

Mirëpo, edhe pse Tomori humbi, për futbollistin 18- vjeçar kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë dhe do të kujtohet me nostalgji për golin e realizuar. Hyseni konsiderohet si një ndër talentet më premtues, teksa nuk mungojnë as interesimet e skuadrave të tjera.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se ndihet i lumtur për golin e shënuar, por nga ana tjetër nuk e fsheh atë mërzitje të humbjes së pësuar nga skuadra.

dd

Hyseni, çfarë ndjesie të jep fakti që i shënon Tiranës?

Ndjesi vërtet e jashtëzakonshme. Ndihem tepër i lumtur dhe do e kujtoj gjithmonë me nostalgji që në moshën 18-vjeçare kam shënuar në portën e klubit më të titulluar në Shqipëri. Kjo nuk është pak. Shkallët ngjiten një e nga një dhe unë po përpiqem të përmirësoj performancën time nga ndeshja në ndeshje.

Një aksion perfekt, i kurorëzuar me gol. Si do e vlerësonit?

Punojmë gjithmonë me dalje të tilla në stërvitje, thyerje aksioni dhe kundërsulm i shpejtë. Kjo është pa dyshim meritë e trajnerëve që punojnë mjaft mirë, po absolutisht edhe e jona që i realizojmë ato me sukses. Ishte një aksion model dhe do ta vlerësoja me notën maksimale.

Megjithatë, skuadra nuk arriti të merrte pikë. Ju vjen keq?

Natyrisht që më vjen shumë keq për atë disfatë. Pavarësisht kësaj, ngushëllohemi se kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në fushën e blertë. Nuk e kishim parashikuar që të dilnim pa pikë, pasi zhvilluam një ndeshje mjaft pozitive dhe minimumi do të ishte një barazim. Mendoj se loja u vendos nga disa episode, ku protagonist u bë arbitri me atë penallti qesharake.

Si po vlerësohet ndeshja e radhës kundër Pogradecit?

Normalisht që po përgatitemi fort, pasi tashmë kërkojmë autokritikën dhe na duhet mjaft punë për ta bërë këtë gjë. Pogradeci është një skuadër për t’u vlerësuar, mirëpo në shtëpi nuk mund t’i pranojmë gabimet dhe medoemos do të hedhim sytë nga fitorja. Puna jonë është maksimale dhe me dëshirë mund të arrihet çdo gjë. Pogradeci është në nivel me ne, por e mposhtim.

Gjatë kësaj periudhe jeni konsideruar si një ndër talentet më premtues dhe keni pasur vëmendjen e skuadrave të tjera…?

E vërtetë! Kjo më gëzon shumë. Madje, kam pasur edhe disa kontakte nga skuadra shqiptare dhe jo vetëm.

Mund të zbuloni diçka?

Besa është një ndër skuadrat shqiptare që është interesuar, por ka edhe disa të tjera. Gjithsesi, për momentin gjithçka është në fazën e vëzhgimit dhe asgjë më shumë. Gjithashtu, më është kërkuar një provë në ekipin e parë të Atromitos dhe kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur. Por, unë kam një kontratë me Tomorin dhe për ofertat në drejtimin tim merret menaxheri.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"