“I marrim pikë Tiranës”, flet Sadedini: Idrizi ka të drejtë, problemi më i madh është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 10:49

“I marrim pikë Tiranës”, flet Sadedini: Idrizi ka të drejtë, problemi më i madh është…

Dritan Sadedini kërkon ta ndalë sot Tiranën. Në deklaratën e dhënë për mediat përpara kësaj ndeshjeje, trajneri i Flamurtarit tha se do të ishte i kënaqur edhe me një pikë nga takimi i sotëm. Sadedini vlerëson kundërshtarin, por shprehet se ekipi që drejton do të bëjë maksimumin. Trajneri vlonjat rendit edhe problematikat që e shqetësojnë ekipin, ndërsa thotë se nuk është penduar që e ka marrë Flamurtarin në këtë moment të vështirë.sadedini

Sadedini, Tirana kundërshtar i radhës. Si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Mendjen e kemi pasur te Tirana që ditën e hënë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Midis problematikave që mund të kemi ne jemi fokusuar totalisht te ndeshja me Tiranën. Shpresoj që kjo ndeshje të shkojë mirë. Mendoj se djemtë do të japin maksimumin për Flamurtarin dhe për Vlorën.

Në fakt, do të jetë e vështirë. E dini edhe këtë fakt?

Patjetër, nuk diskutohet që do të jetë e vështirë. Dihet se çfarë ekipi është Tirana. Është pretendent, por ne do të përpiqemi t’i ndalim, të bëjmë lojën tonë dhe të marrim pikët tona. Kjo është e gjitha.

Jeni i kënaqur edhe me një pikë?

Në këto momente në futboll nuk je i kënaqur as me tri pikët nganjëherë, por mendoj se edhe një pikë do të ishte shkëlqyeshëm për Flamurtarin në këtë ndeshje.

Çfarë nuk ka shkuar deri tani?

Problematikat dihen. Janë vonesat e nisjes së përgatitjeve. Në këtë periudhë kemi vështirësi me ngarkesat, nuk i japim dot të plota. Janë një sërë problemesh që kemi, ndaj edhe skuadra ndodhet në këtë gjendje. Por, mendoj se djemtë dita-ditës angazhohen duke u stërvitur mirë dhe ne do të bëjmë të pamundurën, si stafi, si lojtarët, për ta nxjerrë ndeshjen me Tiranën sa më mirë.

Çfarë duhet të përmirësoni më tej?

Problematika është e madhe. Për mua ana fizike është ana kryesore në ekip. Mundohemi çdo ditë që ta rrisim anën fizike, por pa fazë përgatitore në këto momente është e vështirë të japësh ngarkesat e duhura.

Administratori Idrizi është shprehur i pakënaqur për ndeshjen me Bylisin, duke thënë se në fushë ishin vetëm disa hije dhe secili të marrë përgjegjësitë. Keni një koment?

Është e vërtetë kjo. Ne mbajmë përgjegjësitë tona. Presidenti ka të drejtë dhe unë jam shumë dakord me ato çfarë ka shprehur. Ekipi punon mirë 20-30 minuta, pastaj bie në hapin e vet. Këto dihen dhe unë personalisht i njoh këto gjëra. I kuptoj djemtë. Shpresoj që të rritemi fizikisht, pasi ky është edhe problemi më i madh që ka Flamurtari në këto momente.

E keni marrë në një moment të vështirë Flamurtarin. Jeni penduar?

Jo, jo. Asnjëherë nuk jam penduar. Flamurtarin do ta merrja sido që të ishte.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"