I izoluar në Qipro, Gerti Shima: Më mungon familja, më 1 mars kthehem në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 20:02

I izoluar në Qipro, Gerti Shima: Më mungon familja, më 1 mars kthehem në Shqipëri

Vetëm një ditë para ndeshjes paraelim inatore kundër Qipros, Shqipëria e basketbollit të meshkujve humbi shërbimet e kapitenit Gerti Shima, i cili rezultoi pozitiv me COVID. Basketbollisti kryeqytetas që prej gati 10 ditësh qëndron i izoluar në Nikosia, por fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shima tregon ditët e tij të karantinës, ku thekson se i mungon shumë familja e në veçanti vajza e tij, Megan.

Shima

“Që prej ditës së parë kur bëra tamponin dhe dola pozitiv mund të them që kam një gjendje normale dhe nuk kam asnjë problem shëndetësor dhe çdo gjë është OK. Kam dalë pozitiv më 16 shkurt dhe tani jam në ditën e 10-të. Normalisht më mungon familja sidomos vajza, Megan, pasi po bëj tre javë larg familjes. Këtu nuk më lejohet të bëj asgjë kështu që qëndroj gjatë gjithë kohës në dhomë. Është një situatë e vështirë dhe stresuese, por ajo që ka rëndësi është që të jem mirë me shëndet më shumë se mërzitja”, shprehet Gerti Shima.

34-vjeçari më tej tregon se kur do të rikthehet në Shqipëri: “Pritet të kthehem më datë 1 mars në Tiranë, pasi të marr një letër këtu që kam kryer karantinimin. Sigurisht që ndeshjen e parë të kampionatit me Tiranën nuk e kap dot, por sapo të rikthehem do të kryej të gjitha analizat e nevojshme për t’iu bashkuar më pas skuadrës”. Kapiteni i Kombëtares dhe një prej lojtarëve më të mirë të basketbollit shqiptar në dekadat e fundit duket i lumtur që më në fund sporti i koshit po i rikthehet normalitet: “Ajo që ka rëndësi është që më në fund filluan të lëvizin gjërat dhe nisi basketbolli. Shpresojmë që të jetë një sezon i suksesshëm për të gjitha ekipet dhe të mundohemi të japim më të mirën të gjithë në mënyrë që ta ngremë basketbollin pas një pas një pauze shumë të zgjatur prej gati 1 viti.

Sigurisht që do të jetë e vështirë pasi kampionati po fillon në një periudhë kur shumica e vendeve janë drejt përfundimit, por e rëndësishme është që gjithçka po fillon”. Në fund Shima ndalet edhe tek Tirana, teksa thotë se bardheblutë do të luajnë për kreun e renditjes: “Tirana gjithmonë do të luftojë për të kapur majat e tabelës, se sa do t’ia arrijmë këtë do ta tregojë fusha. Deri tani jemi po i njëjti grup lojtarësh dhe kjo do të na ndihmojë që të rikthehemi më shpejt duke qenë se njohim mirë njëri-tjetrin. Besoj që ekipi është i gatshëm për të rinisur sezonin dhe për ti realizuar objektivat”, përfundon prononcimin e tij lideri dhe kapiteni i skuadrës bardheblu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"