Humels: Na duhet një trajner si Jupi, Nagelsman është vetëm 2 vite më i madh se unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2017 | 14:13

Humels: Na duhet një trajner si Jupi, Nagelsman është vetëm 2 vite më i madh se unë

Pas debateve të fundit lidhur me trajnerin që do të zëvendësojë legjendën bavareze, Jup Hejnkes, ka folur edhe mbrojtësi i skuadrës së kampionëve gjermanë, Mats Humels, i cili ka eliminuar mundësitë për dy trajnerët favoritë që mund të marrin nën kontroll klubin bavarez në fundin e sezonit aktual.

humels mehmedi

Në një intervistë për “Bild”, Humels ka thënë se: “Sa i përket ish-trajnerit të Dortmundit, Tomas Tuhel, nuk mund të flas për të pasi s’ka ndodhur asgjë lidhur me të dhe klubin e Bajernit”. Mbrojtësi Humels dhe ish-trajneri, Tomas Tuhel, të cilët kanë punuar së bashku në skuadrën e verdhezinjve të Dortmundit në sezonin 2015/16, kanë pasur edhe probleme me njëri-tjetrin atje.

Në finalen e Kupës së Gjermanisë, në të cilën Dortmundi humbi me penallti ndaj Bajernit, Tomas Tuhel ka kritikuar mbrojtësin Humels për paraqitje të dobët duke thënë: “Ai mund të luajë më mirë”. Megjithatë, mbrojtësi i kampionëve gjermanë, Mats Humels, ka folur edhe për trajnerin e Hofenhaimit, Julian Nagelsman, i cili është përfolur shpesh si një prej alternativave më të mira për të zëvendësuar legjendën Hejnkes.

Sa i përket Nagelsman, Humels ka thënë se: “Julian Nagelsman është vetëm dy vite më i madh se unë, ndaj nuk mendoj se do të jetë një trajner i duhur për një skuadër kaq të madhe si Bajerni. Në këtë skuadër na duhet një trajner, i cili t’i mëshojë pjesës taktike, sikurse ka bërë edhe legjenda Jup Hejnkes pas rikthimit në klubin bavarez. Megjithatë, do të thosha se më e mira do ishte të kishim një trajner, i cili është gjermanofolës”.

Mbrojtësi 28-vjeçar i kampionëve gjermanë ka folur me superlativa për trajnerin Hejnkes duke shtuar: “Disiplina, struktura e qartë që ai ka për skuadrën, janë ato pak gjëra të cilat na nevojiteshin shumë. Trajneri Hejnkes e ka nxitur skuadrën për të arritur rezultate edhe më të larta, ndryshe nga ç’kemi parë nga ish-trajneri italian, Karlo Ançeloti.

Për të kam folur me shumë persona që e njihnin dhe më kanë treguar se Ançeloti është i shkëlqyer si trajner, por mendoj se gjuha është një problem shumë i madh në futboll. Ai nuk pati mundësinë të komunikonte në gjermanisht me ne, çka mendoj se ka qenë edhe nisja e problemeve”.

ANTON LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"