Humbja me Partizanin rëndon shumë. Rikthehet stresi te Kukësi i trajnerit Nica, pushimi vjen në kohën e duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 13:21

Humbja me Partizanin rëndon shumë. Rikthehet stresi te Kukësi i trajnerit Nica, pushimi vjen në kohën e duhur

Kukësi i dha fund serisë së rezultateve pozitive të tri javëve të fundit, duke u ndalur pikërisht nga skuadra e Partizanit. Një humbje që rëndon shumë sa u përket golave të pësuar, sepse janë katër të tillë. Edhe pse në fund disfata u zbut disi, sepse verilindorët shënuan tre gola, si asnjëherë më parë këtë sezon.

kukesi

Ndonëse Stavri Nica është përpjekur që të sjellë disi në “shina” skuadrën dhe të punojë në aspektin mbrojtës, sërish ekipi tregoi se është i brishtë në këtë repart, i shoqëruar edhe nga gabimet individuale. Me pak fjalë, ndoshta Nica do të duhet t’ia rinisë sërish nga e para me udhëzimet e tij. PUSHIMI 

Nëse ka një skuadër që ky pushim, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares mund t’i bëjë mirë, është pikërisht skuadra e Kukësit. Më shumë ditë pushim përkthehet në më shumë ditë udhëzime nga trajneri për ekipin në stërvitje. Duke qenë se bëhet fjalë për një skuadër të mbushur me lojtarë pa shumë eksperiencë, të afruar rishtazi në merkaton e verës dhe për më tepër që vijnë nga disa kultura sportive, bëhet gjithë e më e vështirë për trajnerin të gjejë ekuilibrat e duhur. Edhe pse u duk se Nica gjeti mekanizmat që skuadra të arrinte të funksiononte, sërish ka ende shumë punë përpara dhe pikërisht këto ditë shihen si të rëndësishme për ekipin.

GABIMET

Më shumë sesa për meritë të kundërshtarëve, Kukësi duket se e pëson më shumë nga gabimet e veta. Për këtë arsye, gjasat janë që Nica të ulë në stol disa nga lojtarët që deri më sot projektoheshin si titullarë, pasi po bëjnë vazhdimisht gabime dhe po dëmtojnë skuadrën duke mos marrë dot rezultatet. Në njëfarë mënyre, gabimet vijnë edhe si shkak i cilësisë së grupit që ka Nica në dispozicion, fakt që tekniku e ka vënë shpesh në dukje edhe më herët, duke iu “dorëzuar” kontingjentit që ka në përbërje. Gjithsesi, mbetet për t’u parë gjatë këtyre ditëve nëse trajneri do të ketë “guximin” të ulë disa titullarë në stol apo do të vijojë t’i besojë, edhe për faktin se i mungojnë alternativat në skuadër.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"