Humbi mundësinë të luante në “San Siro” për Flamurtarin, Bicaj: Më bindi projekti i trajnerit Duro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 14:11

Humbi mundësinë të luante në “San Siro” për Flamurtarin, Bicaj: Më bindi projekti i trajnerit Duro

Ditmar Bicaj e sheh Flamurtarin në Kupat e Europës. Lojtari, që sezonin e fundit e mbylli te Vllaznia, mendon se ka bërë zgjedhjen e duhur, ndërsa rrëfen për “Panorama Sport” se refuzoi edhe Shkëndijën e Tetovës për projektin ambicioz të vlonjatëve. Në një intervistë të dhënë, shtatlarti lezhjan flet për objektivat, por edhe për të shkuarën me Vllazninë.

bicaj flamurtari1

Bicaj, si po ecën faza përgatitore e ekipit në Greqi?

Faza përgatitore po ecën mjaft mirë. Kemi bërë dy javë shumë të mira në Mavrovë dhe kemi disa ditë që ndodhemi në Veria, ku kushtet janë mjaft të mira. Po marrim ngarkesa të larta, por kjo periudhë e tillë është sepse jemi para kampionatit dhe është normale. Ekipi ka qenë i plotë dhe dëmtime nuk ka pasur.

Përse zgjodhët Flamurtarin këtë sezon?

Zgjodha Flamurtarin, për shkak të projektit. Trajneri dhe administratori kur më kontaktuan, më paraqitën një projekt ndryshe nga ai i Flamurtarit të këtyre viteve. E kam pranuar me kënaqësi, pasi me profesorin kam njohje të vjetër, që me kombëtaret e moshave U-19 dhe e di se është një trajner me ambicie. Ekipi është plotësuar, klubi është treguar korrekt në çdo gjë dhe tani që po afron kampionati mbetet përgjegjësi e lojtarëve që të shpërblejmë besimin që na është dhënë nga klubi dhe stafi teknik.

Nëse nuk do të ishte Duro dhe ky projekt që ju thoni, a do të vinit në Vlorë?

Flamurtarin e kanë zgjedhur shumë futbollistë me emër më përpara, çka do të thotë që ka emër të madh. Por një futbollist kur zgjedh një ekip gjithmonë kërkon më të mirën, sepse është lojë kolektive dhe për këtë gjë e zgjodha ngaqë ky Flamurtar këtë sezon nuk do të jetë i fortë vetëm në letër, por edhe në fushë. Kam refuzuar në momentet e fundit një ekip shumë të mirë si Shkëndija e Tetovës dhe nuk jam bërë pishman, sepse kam ardhur me kënaqësinë më të madhe në Vlorë për të dhënë më të mirën.

Cilat janë objektivat e Flamurtarit këtë sezon?

Këtë sezon pretendimet e Flamurtarit janë ndryshe nga ai i sezoneve të fundit. Objektivi është të jemi te zona e Europës dhe mendoj se do jemi në atë zonë, sepse ekipi i ka të gjitha mundësitë, pasi janë bërë afrime cilësore në ekip.

Si e cilësoni periudhën që keni luajtur te Vllaznia?

Periudhë shumë pozitive në aspektin personal. Kam dhënë më të mirën dhe kam bërë një sezon shumë të mirë atje. Ishim afër Europës, fazën e katërt. Deri me Partizanin kemi bërë kampionat perfekt, por gabimet në ndeshjen brenda me Korabin dhe Luftëtarin bënë që deri javën e fundit të diskutonim mbijetesën.

Në ndeshjen e fundit me Vllazninë nuk luajtët. A ju erdhi keq?

Jo, nuk luajta. Ne donim të merrnim një pikë në ndeshjen e parafundit në Durrës, por nuk e arritëm. Është zhvilluar një duel shumë i fortë nga të dyja palët, por për fat të keq u ndëshkuan me kartonë shumë lojtarë. Një ndër ta isha dhe unë. Më ka ardhur keq, sepse nuk kontribuova për ekipin në “finalen” me Tiranën, por kur je brenda në fushë nuk mund t’u shmangesh episodeve të veçanta.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"