Humbën javën e parë, shanset e gjigantëve për në Ligën e Europës
Humbja e Liverpulit në Napoli i ka rritur kuotat e “Reds”-ave për të përfunduar në Ligën e Europës dhe triumfuar në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të kontinentit. Pas javës së parë të fazës së grupeve në Champions, kompania e të dhënave, “Gracenote”, ka përllogaritur se cilat janë skuadrat që kanë shanset më të mëdha për të triumfuar këtë sezon në Ligën e Europës.
Dhe pas humbjes 4-1 me Napolin, Liverpuli është në vendin e katërt në listë. “Reds”-at do të përfundonin në Ligën e Europës në rast se renditen në vendin e tretë në grupin e tyre dhe kanë 6% shanse që të ngrenë trofeun në finalen e Budapestit në maj.
Skuadra e Klopit ka më shumë shanse nëse zbret në turneun e dytë më të rëndësishëm pas Champions-it sesa Betisi (5%), Roma (4%) dhe Sociedadi (4%), të cilat janë aktualisht në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Por statistikat thonë se skuadra që ka më shumë shanse për t’i shkuar deri në fund kompeticionit është Arsenali (12%).
“Topçinjtë” e Artetës shihen si favoritë edhe përpara rivalëve të Premier Ligës, Mançester Junajtidit, të cilët renditen në vendin e dytë me 9%.
Një tjetër skuadër e Ligës së Kampioneve, Interi, renditet në të njëjtin pozicion me Liverpulin, si skuadra e katërt favorite, pas humbjes në ndeshjen e parë të grupit të Champions-it kundër Bajernit, 0-2.
Skuadrat e tjera me shanset më të mëdha për të triumfuar në Ligën e Europës janë: Barcelona (5%), pavarësisht se katalanasit e nisën me një fitore 5-1 ndaj Pilzenit aventurën e tyre europiane në Champions, Çelsi i mundur nga Dinamo e Zagrebit ka 3% shanse, po aq sa edhe Juventusi dhe Sevilja, dy ekipe të tjera që humbën në javën e parë, respektivisht kundër PSG-së dhe Mançester Sitit.
FAVORITET NË LIGËN E EUROPËS
ARSENAL 12%
MAN. JUNAJTID 9%
INTER 6%
LIVERPUL 6%
REAL BETIS 5%
BARCELONA 5%
ROMA 4%
REAL SOCIEDAD 4%
ÇELSI 3%
JUVENTUS 3%
AJAKS 3%
SEVILJA 3%
PANORAMASPORT.AL
