Hoxhaj nuk e sheh si ikona Zmijani: Fitojmë ne, por me Kukësin nuk është finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 22:57

Hoxhaj nuk e sheh si ikona Zmijani: Fitojmë ne, por me Kukësin nuk është finale

Ardit Hoxhaj, golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në këtë sezon me 4 gola të shënuar, është optimist se ekipi shkodran do të kthehet te fitorja në sfidën e së martës ndaj Kukësit. Sipas tij, ekipi po bën mirë në takimet e fundit, pavarësisht se kanë munguar rezultatet.

ARDIT HOXHAJ 1

Në një prononcim për “Panorama Sport”, gjysmësulmuesi shprehet se oshilacionet e kuqebluve nuk janë në lojë, por në rezultate. Ai e shikon skuadrën e tij të denjë për të garuar dhe për të qenë pretendente si në kampionat, po ashtu edhe në Kupë.

Si e shikoni situatën në ekipin tuaj pas kualifikimit në Kupë?
Duke parë në tërësi gjithë situatën gjatë këtyre ditëve shumë të ngarkuara, ku kemi pasur një kalendar shumë të ngjeshur, mendoj se skuadra ka shumë gjëra pozitive, por kemi edhe gabime, që duhet t’i rregullojmë. Kalimi në turin tjetër të Kupës është një gjë shumë pozitive, sepse duam të vlerësojmë çdo gjë që kemi para.

Vllaznia po zhvillon lojëra të mira në kampionat, por sërish nuk po vijnë rezultate pozitive njëra pas tjetrës, çfarë po ndikon?
Mendoj se skuadra është në rrugën e duhur, të gjithë po bëjmë maksimumin për të dhënë më të mirën. Gjithsesi, gjatë rrugës shfaqen edhe probleme që duhet t’i rregullojmë, që të kemi një ecuri sa më të mirë.

Çfarë nuk funksionon? Përse skuadra nuk arrin të ketë vazhdimësi?
Nuk mendoj se në ekipin tonë ka diçka që nuk funksionon. Këtu gjërat funksionojnë në mënyrën e duhur. Kemi një grup çunash shumë të mirë dhe një staf profesionist.

Të martën luani ndaj Kukësit, prisni kthimin te fitorja në këtë sfidë?
Të martën është ndeshja e radhës për ne në kampionat. E kemi vlerësuar shumë mirë kundërshtarin tonë. Kemi të bëjmë me një rival të fortë, por ne do të bëjmë maksimumin që të dalim të fituar nga kjo ndeshje.

Zmijani, një prej ish-lojtarëve mjaft me emër në Shkodër, e cilëson si një ndeshje decizive për titull. Si e shihni ju?
Nuk mendoj se në këtë kampionat që jemi duke zhvilluar për mënyrën se si po funksionon dhe se si po zhvillohet gara, ku diferencat janë shumë të vogla midis ekipeve, ku vendi i fundit mund të fitojë pa problem fare me vendin e parë, një ndeshje ndaj Kukësit na lë ose na heq nga gara. Mendoj se do të jetë një garë e hapur deri në fund për kampionatin, nuk do të jetë përcaktuese vetëm një ndeshje, pasi janë ende shumë përballje për t’u luajtur.

Keni besim se Vllaznia do të jetë deri në fund në luftë për dy trofetë?
Kam besim të plotë se skuadra do të bëjë maksimumin për të qenë konkurrente dinjitoze në të dyja kompeticionet dhe për të provuar t’i fitojë deri në fund.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"