Hojlund dhe Saviç, epoka Xhuntoli nis me dhurata/ Juvja do të sakrifikojë Vlahoviçin për goditjet e merkatos
Rinovimi i Adrien Rabiosë ishte lajmi i parë i madh, një ogur i mirë për startin e sezonit të ardhshëm për Juventusin, ndërsa afrimi i Timoti Ueah është një sinjal i qartë se ndoshta edhe trajneri Masimiliano Alegri kërkon që të ndryshojë diçka dhe mbi të gjitha të freskojë ritmin e lojës së skuadrës së tij.

Gjithsesi, qershia mbi tortë do të jetë zbarkimi i Kristiano Xhuntolit, drejtorit të ri sportiv të “Zonjës së Vjetër”, njeriu i magjirave te Napoli dhe i goditjeve të mëdha që çuan të kaltrit te titulli kampion pas 33 vitesh. Dhe sipas raportimeve të para dhe burimeve që “Gazzetta dello Sport”, Xhuntoli do të vijë edhe më dy dhurata të mëdha.
HOJLUND – Prej ditësh Aurelio De Laurentis ka në dorë dosjen që duhet të firmosë, për të lënë të lirë pas 8 vitesh drejtorin e tij sportiv. Ky i fundit kërkon me aq ngulm që të kalojë te Juventusi, aq sa është gati që të heqë dorë nga bonuset e sezonit të kaluar, sipas kontratës, të cilat janë disa miliona euro (4 milionë për burimet në fjalë). Dhe ndoshta data 1 korrik do të jetë nisja e epokës “Xhuntoli” në Torino, i cili ka nisur nga puna prej kohësh dhe ka dy emra në axhendën e tij.
I pari është Rasmus Hojlund, zbulimi i radhës së Atalantës, i cili në sytë e Xhuntolit shihet si pasuesi i Dushan Vlahoviçit në Torino. Serbi ka merkato në Spanjë, Gjermani e Angli dhe mund të sjellë mbi të gjitha 70-80 milionë euro të garantuara, nga të cilat, deri në 50 milionë janë në plan për të shkuar në arkat e Atalantës, mbi të gjitha për të mundur konkurrencën e fortë të Mançester Junajtid ndaj danezit.
Hojlund, 20-vjeçar, është jo vetëm i fortë, por edhe shumë teknik, madje jo më kot edhe në janar, Xhuntoli kishte tentuar që ta afronte te Napoli, por pasi i ka shtruar disa piketa me Atalantën dhe lojtarin, tashmë i duhet të ndërrojë thjesht destinacion. Shkurt, tratativa për Hojlund te Juventusi ka nisur…

MILINKOVIÇ-SAVIÇ – Më e lehtë madje duket tratativa që çon te njeriu që do të blindonte mesfushën e Masimiliano Alegrit. Bëhet fjalë për Sergej Milinkoviç-Saviç, i cili pasi ka shtyrë rinovimin me Lacion dhe sezonin tjetër mund të largohet me parametër zero, të kaltrit duhet ta shesin që në këtë verë, për të arkëtuar të paktën 30-35 milionë, aq sa është edhe kërkesa minimale e presidentit Klaudio Lotito.
Serbi, prej vitesh është afruar me Juven dhe në Torino do të shkonte me vrap. Madje, një akord mes palëve është gati prej një viti, prej 5.5 milionë eurosh në sezon dhe në të mjafton një ndryshim date dhe firmat mes tyre.
Por ndoshta, duke parë edhe nevojat që ka Juventusi sidomos në këtë repart dhe faktin se edhe shifra prej 30-35 milionësh nuk është më e parezistueshme, ndoshta Xhuntoli me të ardhur do të nisë tratativë dhe ta dërgojë atë në finish. Dhe me Saviç, Pogba, por edhe Rabio, Kostiç e Ueah, mesfusha e Juves do të ishte mëse e kompletuar, duke parë freski, shpejtësi, centimetra, muskuj dhe mbi të gjitha më në fund, edhe ide të qarta lojë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL













