Historia e Zllatko Daliç, si e solli Besnik Sulaj te Dinamo arkitektin e Kroacisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2018 | 22:55

Historia e Zllatko Daliç, si e solli Besnik Sulaj te Dinamo arkitektin e Kroacisë

Sot drejton Kroacinë, ekipin që siguroi një biletë për gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Por, një dekadë më parë ishte në krye të Dinamos në kampionatin shqiptar dhe ndoshta as në ëndërr nuk e kishte parë se një ditë do ishte ai trajner i kombëtares së vendit të tij, e për më tepër ta udhëhiqte drejt një synimi madhor: shpalljen kampione bote.

Dalic Dinamo

Pasi fitoi me penallti ndaj Rusisë, Zllatko Daliç shpërtheu në lot nga stoli. Mirëpo, për të në mbrëmjen e djeshme u emocionuan edhe shumë tifozë në kryeqytetin shqiptar. Daliç nuk është një emër i panjohur për ata që e përcjellin futbollin shqiptar. Ishte korriku i vitit 2008, kur presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, vendosi t’i besonte stolin.

Klubi blu kishte një potencial të madh ekonomik në atë periudhë dhe bashkëpunonte me agjenci të njohura menaxhimi në Europë dhe Amerikën Latine. Daliç u prezantua te Dinamo me synimin për ta shpallur kampion. E nisi në mënyrën më të mirë, duke fituar Superkupën e Shqipërisë në ndeshjen ndaj Vllaznisë (fitoi 2-0). Përpara se të drejtonte blutë e kryeqytetit, kishte qenë për një sezon trajner i klubit të madh kroat, Rijeka. Te Dinamo erdhi si një i ri ambicioz, i gatshëm për çdo sfidë.

Kampionati i sezonit 2008- 2009 kishte shumë rivalitet dhe kroati mbijetoi në stolin blu vetëm 19 javë, duke arritur të marrë 29 pikë (7 fitore, 8 barazime dhe 4 humbje). E la Dinamon në vendin e tretë, duke dhënë dorëheqjen në shkurt të vitit 2009. Humbja në derbin me Partizanin bëri që kroati të mos mendohej dy herë, por si një xhentëlmen i vërtetë, nuk iku me polemika.

“Zhvillova takimin e fundit me presidentin dhe pastaj u takova me stafin dhe lojtarët. Kam vendosur përfundimisht që të largohem nga Dinamo”, sqaronte 9 vite më parë Daliç për shtypin sportiv. Kroati e fitoi shumë shpejt simpatinë e tifozëve, por presioni i rezultateve ndikoi në largimin e tij, edhe pse Besnik Sulaj në atë periudhë insistoi që kroati të qëndronte. Megjithatë, sot presidenti që ka fituar disa tituj kampion me Dinamon, ndihet krenar që sheh Daliç në krye të Kroacisë. “Kam goditur në shenjë që në vitin 2008”, – u thotë jo me pak krenari Besnik Sulaj miqve të tij. Pasi iku nga Dinamo, Daliç vijoi karrierën si trajner në Kroaci te Sllaven Belupo për një sezon. Më pas, nga viti 2010 dhe deri në 2017-ën, drejtoi klube në Arabi si Faisaly, AlHilal, Al-Ain, derisa më 7 tetor 2017 mori drejtimin e Kroacisë. Në shtatë muaj drejtim të Dinamos, Daliç kishte si ndihmës Artan Mërgjyshin dhe Ilir Bozhiqin. Kapiten i ekipit ishte Arjan Pisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"