Historia e rekordmenit shqiptar që jeton në Itali: Ëndërroja futbollin, u bëra kampion në atletikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 20:27

Historia e rekordmenit shqiptar që jeton në Itali: Ëndërroja futbollin, u bëra kampion në atletikë

Atleti i Kombëtares kuqezi, David Nikolli, prej vitesh jeton në Itali, aty ku vijon edhe karrierën sportive. Një dekadë më parë Davidi u largua nga qyteti i tij i lindjes, Lezha, për të emigruar në shtetin fqinj, me ëndrrën që të bëhej futbollist. Historia dhe talenti i 26-vjeçarit mirditor ka tërhequr vëmendjen e mediave në Itali, teksa në një intervistë për “Gazzetta Dello Sport”, Nikolli ka treguar aventurën e tij në gadishull.

david nikolli

“Në moshën 16-vjeçare u nisa drejt Italisë. Ishte një udhëtim shumë i gjatë nëpër disa shtete të ish-Jugosllavisë, me ëndrrën për t’u bërë dikush në botën e futbollit. Me skuadra si Oltrepo Vogera dhe Sant Anxhelo arrita që të ngjitem deri në majë në kategoritë e futbollit rajonal, ku kam qenë edhe golashënues. Doja që të bëhesha futbollist, ky ishte objektivi për të cilin kisha ardhur në Itali”, shprehet Nikolli, por më pas gjërat nuk shkuan ashtu sikurse ai kishte dëshiruar: “Nuk munda të vazhdoja më tej karrierën, kjo për shkak të dokumentacionit që kërkohej, pasi nuk kisha leje”.

Gjatë kësaj kohë, përveç pasionit për sportin, Nikollit i është dashur të punojë shumë: “Për dy vite me radhë zgjohesha në orën 4 të mëngjesit dhe punoja deri në orën 15:30, ndërsa më pas stërvitesha”, rrëfen Nikolli, i cili vjen nga një familje me 10 fëmijë (7 vëllezër dhe 3 motra). Prej më shumë se tri vitesh ka nisur rrugëtimin e tij në atletikë dhe është dashuruar menjëherë me këtë sport. Në një kohë shumë të shkurtër regjistron rezultate të shkëlqyera, teksa disiplina e tij e preferuar është ajo e 1500 metrave. Përveç sukseseve me skuadrën e tij në Piaçenca, Nikolli bëhet pjesë gjithashtu e ekipit tonë kombëtar, me të cilin arrin të shpallet edhe kampion Ballkani, pa harruar titujt e shumtë kampion në Shqipëri.

nikolli david

Nikolli mban gjithashtu edhe rekordin kombëtar në garën e 1500 metrave, teksa e ka ndalur kronometrin në kohën 3’39″19. Megjithatë 26- vjeçari është i bindur që do ta ulë edhe më tepër kohën e tij: “Vrapoja rreth 4-5 herë në javë, ndërsa prej pak kohësh po stërvitem intensivisht dhe kam marzh të madh përmirësimi. Objektivi im është minimumi olimpik 3’35″00, thotë atleti mirditor, i cili i ka idetë shumë të qarta. Përveç rezultateve në garat italiane, atleti kuqezi synon pjesëmarrjen në olimpiadë, por për të arritur diçka kërkon edhe ndihmën e sponsorëve: “Klubi ku bëj pjesë ka bërë shumë për mua, po sigurisht që do të ishte shumë e rëndësishme gjetja e një sponsori”, përfundoi David Nikolli.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"