Haxhiu: Na merr plumbi shtrirë, e nisa prapë duhanin pas kësaj humbjeje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2017 | 17:13

Haxhiu: Na merr plumbi shtrirë, e nisa prapë duhanin pas kësaj humbjeje

Gerd Haxhiu e ka përjetuar keq disfatën e Korabit të tij përballë një kundërshtari direkt për mbijetesë si Laçi. Aq keq, saqë iu desh ta fillonte sërish duhanin pas disa kohësh shkëputjeje.

Këtë e bëri të ditur vetë trajneri i dibranëve në lidhjen direkte me “Gol pas goli”, ku, edhe me nota humori, foli rreth takimit të sotëm, episodeve të diskutueshme dhe shanseve të skuadrës së tij për të mbijetuar në Superiore.

Haxhiu

Deklaratat e Haxhiut:

“Dëshirën për të bërë mirë e kanë të gjithë futbollistët profesionistë që zbresin në fushë. Futbolli matet me cilësi dhe nëse këto cilësi nuk shfaqen, është problem. Ne vazhdojmë ndëshkohemi në minutat e para dhe është bërë si batutë që ‘na merr plumbi shtrirë’. Pësojmë gola amatoreskë si ky i sotmi në minutat e para. Kemi një bllokim në fillim, pastaj e morëm veten dhe pas minutës së 20-të 25-të zbritëm rrezikshëm në portën kundërshtare.

Kjo humbje më bëri të rifilloj duhanin pas një kohe që e kisha shkëputur. Nuk dua të nxirohem në deklarata, më mirë ua lë kompetentëve t’i gjykojnë episodet e dyshimta. Kur ekipet janë të barabarta, diferencën e bëjnë episodet. Më thonë që janë tri të tilla të diskutueshme. Ishte një ndërhyrje për penallti dhe dy prekje të topit me dorë në zonë. Po ashtu nuk kam marrë shpjegim për kartonin e kuq të Peposhit, që e mbylli ndeshjen. Është një humbje që dhëmb.

Besoj së pari tek aftësitë e mia, pastaj besoj te skuadra. Kemi edhe dy ditë kohë për të afruar edhe dy lojtarë me të cilët jemi në bisedime. Unë besoj shumë edhe te rikthimi në Peshkopi, me shumë mundësi që javën tjetër. Ta ndiejmë edhe ne faktorin fushë, se jemi bërë si gjynahqarë me çanta në kurriz”.

Misioni “mbijetesë”

“Janë ende shumë pikë në lojë. Dhe unë nuk dua të flas që tani për shanse matematikore. Siç humbëm sot në shtëpi, mund të rikuperojmë me një fitore jashtë fushe, pse jo edhe që javës tjetër. Nuk dorëzohem kurrsesi.

Që kur kam ardhur, madje që në fillim të kampionatit i bënin të rëna dy ekipet e ngjitura nga Kategoria e Parë, Luftëtarin dhe Korabin, sepse edhe historia e viteve të fundit ka qenë e tillë. Luftëtari po bind në lojë dhe mund të quhet jashtë garës për të mbijetuar. Megjithatë askush nuk besonte se në fund të fazës së dytë ne do të merrnim pikë në Kukës dhe Tiranë apo që do të mundnim Flamurtarin, sikundër shumë pak besojnë se ne mund të tentojmë të firojmë edhe me Skënderbeun që javën e ardhshme”.

Rëndësia e faktorit fushë

“Ju siguroj që ato raste të dyshimta, në Peshkopi, Laç apo në këto fushat e nxehta do të jepeshin nga arbitri. Gjyqtarët gjejnë kurajë dhe bëjnë atë që bëjnë. Nuk dua të justifikohem, marr plotësisht përgjegjësinë e humbjes. Ju siguroj burrash, pasi edhe drejtuesit kanë burrëri, që nuk do të shikoni skena apo tolerime, të paktën sa të jem unë në drejtim. Nuk dua ta mendoj atë kohë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"