Hasan Lika: Kombëtarja e Alen Sherrit është Vllaznia, ja rivalët tanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2018 | 17:25

Hasan Lika: Kombëtarja e Alen Sherrit është Vllaznia, ja rivalët tanë

Hasan Lika pret vetëm fitoren ndaj Erzenit. Edhe pse shkodranët nuk e njohin humbjen këtë sezon, trajneri thekson se rrugëtimi nuk i ka shkuar “vaj” në Kategorinë e Parë. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, numri një i kuqebluve u bën “skanerin” 5 javëve të para dhe zbulon rivalët. Nuk kishte si të mos komentonte edhe çështjen “Sherri”, të cilit i kujton se Kombëtarja e tij është Vllaznia. Por nuk harroi as zërat që largojnë Xhuniorin, ndërsa thekson se zyrtarisht në klub nuk ka mbërritur asnjë ofertë.

Lika

Luani me Erzenin këtë javë, si paraqitet gjendja e grupit dhe sa ju shërbeu ndërprerja?

Ne jemi duke u përgatitur për Erzenin dhe ndërprerja mund të them që na ka shërbyer, pasi ato lojtarë që ka pasur ndonjë shqetësim janë rikuperuar tashmë. Edhe këtë javë, ne do të luajmë me qëllimin e vetëm për të dhënë dhe marrë maksimumin e pikëve.

Vllaznia nuk njeh humbje deri më tani, kaq i lehtë ka qenë rrugëtimi në këto 5 javë?

Konstatim i gabuar. Vërtet kemi fituar, por nuk e kemi pasur aspak të lehtë deri më tani. Kemi pasur edhe ndeshje të vështira, jo gjithçka ka shkuar “vaj”. Dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në vazhdim do të hasim shumë më shumë vështirësi.

Një trajner me përvojë të gjatë dhe shumë suksese sa ju, si ndihet kur drejton një ekip në Kategorinë e Parë?

E kam thënë edhe më herët, nuk është e para herë që drejtoj një ekip në këtë kategori. Por, tashmë ka ndryshuar diçka, pasi kemi të bëjmë me një kampionat edhe më të fortë, me ekipe të mirorganizuara dhe me lojtarë cilësorë në organikë. Janë disa skuadra që po bëjnë mirë këto javë të para dhe mund të përmend Dinamon, Erzenin, Besëlidhjen apo edhe të tjerat që do të na krijojnë rivalitet përgjatë gjithë sezonit.3

A keni hasur ndonjë anomali deri më tani?

Të jem i sinqertë asnjë problem nuk kam hasur deri më tani. Pastaj nëse mund të quhet problem, është çështja e dëmtimeve që na ka ndjekur nga java e parë e deri më tani.

Alen Sherri u ankua për Kombëtaren, meqenëse ju e keni në ekip mendoni se duhet t’i jepej një shans për vetë minutazhin që ka dhe mbi të gjitha për faktin që ka pësuar vetëm një gol?

Nuk kam komente për këtë fakt. Janë gjëra që ndodhin. Më vjen keq që i ka ndodhur një gjë e tillë Sherrit, por nuk dua që të komentoj një gjë të tillë. Kombëtarja e Sherrit është Vllaznia dhe këtu ai duhet që të japë maksimumin. Normalisht që për lojtarin në aspektin personal ka vlerë.

Çfarë duhet të bëjë Vllaznia për të krijuar që tani baza të shëndosha dhe mos përsërisë gabimet e Tiranës, e cila po vuan në elitë?

Është ende shumë herët që të flitet për krijimin e skuadrës për sezonin e ri. Ka kohë për të menduar për të ardhmen. E rëndësishme tani është që skuadra të bëjë maksimumin e mundshëm në këtë sezon dhe të arrijmë objektivat që kemi nga takimi në takim, marrja e pikëve të plota.

Golat e Xhuniorit kanë bërë që shumë ekipe të Superiores ta shohin me interes këtë lojtar, keni një mesazh për klubet që do tentojnë t’ua rrëmbejnë?

Nuk mund të them asgjë, përderisa në klub nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për Xhuniorin. Ne më shumë po lexojmë në mediat për këtë gjë, pasi asgjë konkrete nuk ka. Nuk dimë nëse i janë ofruar vetë lojtarit, por në rrugë zyrtare nuk kemi të reja. Xhunior është nën kontratë dhe do të vazhdojë që të luajë për këtë skuadër.

A keni rivalë në këtë kategori?

E thashë edhe më lart, ka skuadra të mirorganizuara që kanë edhe lojtarë cilësorë. Kemi rivalitet dhe nuk mendoj se do ta kemi të lehtë. Dinamo, Erzeni, Besëlidhja kanë skuadra të mira.

Ku do ta luani ndeshjen me Erzenin, a ju ka kthyer përgjigje FSHF për “Loro Boriçin”?

Ne po përgatitemi që të luajnë në fushën “Reshit Rusi”. Stadiumi nuk është ende gati dhe mendoj se edhe për këtë takim do të jemi larg “Loro Boriçit”. Gjithsesi, ky nuk është ndonjë shqetësim për ne.

Thatë që keni mungesa, por zyrtarisht vetëm Lika nuk është gati?

Me përjashtim të Gilman Likës, pjesa tjetër e lojtarëve është e plotë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"