“Harrojeni blofin, arratisemi”, Çelhaka: E meritojmë elitën sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 11:45

“Harrojeni blofin, arratisemi”, Çelhaka: E meritojmë elitën sepse…

Egnatia është gati që të zbresë sot në fushë. Skuadra u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve anti-Tomori, ndeshje prej së cilës llogariten pikët e plota dhe… likuidimi i një rivali direkt. Humbja e parë sezonale e rrogozhinasve në këtë kampionat erdhi ndaj këtij kundërshtari, megjithatë Alked Çelhaka mendon se ata nuk mund të gabojnë dy herë. Për “Panorama Sport”, mesfushori kavajas shprehet:

CELHAKA

“Fitorja e fundit me Besën u arkivua dhe tani vëmendja është përqendruar te Tomori. Kemi kryesuar bindshëm gjatë gjithë këtij sezoni dhe askush nuk mund të na ndalë. E meritojmë elitën. Nuk na mungon asgjë që të jemi konkurrues. Ngjitja në Superiore është qëllimi ynë. Kampionati ka pasur rivalitet dhe do të vazhdojë kështu deri në fund, por Egnatia bën llogaritë e saj. Do të luajmë një tjetër përballje me vlera ndaj Tomorit dhe këto 90 minuta do jenë të luftuara nga të dyja palët. Po e presim me padurim, pasi e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë në çdo drejtim gjatë gjithë javës.

Grupi do të jetë i plotë dhe pa mungesa, kështu që jam optimist se do të dalim nga fusha me tri pikë të plota. Shpresoj shumë të shënoj e t’i jap fitoren skuadrës. Presidenca, drejtuesit e trajnerët na mbështesin pa masë, ndaj duhet t’i shpërblejmë në fushë për besimin që na kanë dhënë. Jam i kënaqur që jap kontributin në një klub si Egnatia. E vlerësoj në maksimum fanellën që mbaj veshur. Do ta realizojmë objektivin sezonal edhe për tifozërinë. Ajo është befasuese, ndaj ne do të vazhdojmë ta gëzojmë”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"