Në maj u mor vendimi, harrohet shitja e 34 % të aksioneve të Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 17:19


Në maj u mor vendimi, harrohet shitja e 34 % të aksioneve të Tiranës

Harrohet shitja e 34 për qind të aksioneve të klubit Tirana, që zotërohen nga Bashkia Tiranë. Edhe pse në prill-maj u vendos nga Këshilli Bashkiak i Tiranës çmimi dhe shitja e aksioneve, sërish bashkia nuk ka bërë asnjë hap përpara për të likuiduar pjesën shtetërore të Klubit të Futbollit Tirana. 

Veliaj dhe Halili

Pikërisht dhjetorin e shkuar u fol se në shtator 2019 skuadra do të kishte pronarë 100 për qind privatë, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Thjesht, bashkia dhe Këshilli Bashkiak kanë harruar që duhet ta shesin Tiranën, që kjo e fundit të marrë rrugën e saj. Në fakt, klubi i Tiranës tashmë e ka një vlerësim financiar zyrtar dhe aksionet e bardhebluve shkojnë nga 246 deri në 300 milionë lekë të rinj apo e thënë ndryshe, rreth 3 milionë dollarë.

Në muajin shkurt 2019, kompania vlerësuese “Deloite Albania shpk” ka bërë një raport vlerësues, me qëllim vlerësimin e drejtë për vlerën e kapitalit aksionar të Klubit të Futbollit Tirana në masën 100% të aksioneve dhe në bazë të këtij raporti, skuadra e Tiranës ka një vlerë që shkon në diapazonin nga 246, në 300 milionë lekë. Nga 100% i kapitalit të Klubit të Futbollit Tirana, 66% të aksioneve janë të shoqërisë “Halili shpk” dhe pjesa e mbetur prej 34% të aksioneve janë edhe për pak kohë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Halili dhe Veliaj

Kjo e fundit, nëpërmjet kryetarit Erjon Veliaj, ka dhënë pëlqimin dhe miratimin e projektvendimit në lidhje me shitjen e këtyre aksioneve. Sipas raporteve financiare dhe analizave të kryera, një aksion i skuadrës së Tiranës ka vlerën e 1000 lekëve.

Shoqëria “Halili shpk” është pronare e 66% të aksioneve, e konvertuar kjo në rreth 202 mijë njësi me këtë vlerë, ndërkohë që Bashkia e Tiranës me 34% aksionet e saj do të nxjerrë në shitje 104 mijë aksione apo rreth 1 milion dollarë, çmim i vendosur nga Këshilli Bashkiak në vitin 2014. Gjithsesi, deri tani gjithçka është vetëm në tavolinë, edhe pse kanë kaluar muaj të tërë nga vendimi i Këshillit Bashkiak.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com