Guindo: Nuk i kursej të mëdhatë, i lumtur që i shënova Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2019 | 12:14

Guindo: Nuk i kursej të mëdhatë, i lumtur që i shënova Partizanit

Saliu Guindo, sulmuesi i Bylisit, është pa dyshim një lojtar me vlera te ballshiotët edhe për nga stili i lojës. Guindo, që ka luajtur edhe me Kombëtaren e Malit, erdhi në Ballsh në janarin e shkuar dhe tani është optimist dhe beson se do të shënojë edhe më shumë me fanellën e Bylisit.

Guindo2

 

Një lojtar modern, pasi luan edhe pas sulmuesit kryesor, kthehet në mbrojtje, por luan edhe nga krahët duke mos u lodhur për 90 minuta. Javët e fundit është “markuar” edhe nga 2-3 mbrojtës kundërshtarë, por ka ditur të spikasë.

Pas suksesit me Partizanin, ku ai shënoi edhe golin e fitores, për “Panorama Sport” u shpreh: “Po bëj detyrën. Jam sulmues dhe dua që në radhë të parë të luaj, të bëj më së miri detyrat dhe skuadra të diktojë duke realizuar synimet. Normalisht, një sulmues i mirë matet me gola, por një lojtar i mirë shihet edhe sa vrapon dhe çfarë bën gjatë ndeshjes. Në Ballsh jam shumë mirë, madje tani mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë për veten time. Një klub që më do, ku unë luaj dhe shpreh vlerat. Kemi një trajner të madh që na ndihmon dhe na rrit profesionalisht. Më mungonte goli ndaj Partizanit. I kam i shënuar Tiranës, Kukësit apo Skënderbeut dhe Flamurtarit. Erdhi radha t’i shënoja edhe Partizanit. Me pëlqen t’u shënoj ekipeve të mëdha. Por u jam mirënjohës edhe shokëve, sepse më mbështesin dhe më asistojnë”.

bandicam 2019-12-07 14-41-28-652

Synimet

Saliu Guindo ka realizuar 5 gola deri më tani dhe synimet janë për më shumë, duke qenë se është në kulmin e karrierës dhe me grupin që ka Bylisi e realizon qëllimin. “Dua që të shënoj sa më shumë gola. Punojmë shumë në stërvitje, rrimë të grumbulluar dhe jemi në grup. Kjo është arsyeja pse Bylisi ka sukses dhe merr rezultate. Ne duam që të ruajmë këtë ritëm, të punojmë me seriozitet dhe deri në fund të kësaj pjese të parë të marrim pikët maksimale”, tha Saliu Guindo, sulmuesi kryesor i Bylisit. Për transfertën e Vlorës ballshiotët kanë shumë mungesa të sigurta, me lojtarë të pezulluar nga kartonët dhe të dëmtuar.

 Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"