Grizman nuk flet me Mesin, Valverde: Me Leon asgjë s’është e pamundur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2019 | 10:07

Grizman nuk flet me Mesin, Valverde: Me Leon asgjë s’është e pamundur

Të qenit lojtarë të mëdhenj do të thotë të flasësh të njëjtën gjuhë në fushën e lojës. Do të thotë të kuptohesh me sy mbyllur dhe të krijosh kombinime spektakolare dhe të pamenduara për pjesën tjetër të botës. Dyshet e mëdha lindin kështu, pa u parë në sy me njëri-tjetrin.

mesi grizman

Duhet ta dish çfarë bën shoku i repartit. Por ka edhe nga ato raste ku shkëndija mes dy lojtarëve nuk ndodh, pavarësisht vlerës së madhe dhe të jashtëzakonshme që kanë lojtarët. Për momentin, kjo është situata në Barcelonë, ku Lionel Mesi dhe Antuan Grizman nuk arrijnë të krijojnë një sintoni me njëri-tjetrin. E tregojnë statistikat, ku të dy nuk pasojnë me njëri-tjetrin. Mjafton të shohësh pjesën e parë të ndeshjes kundër Selta Vigos, ku të dy nuk bënë asnjë pasim. “El Chiringuito” zbulon një fakt tronditës për dy sulmuesit e Barcelonës.

Në emisionin e njohur spanjoll thuhet se ata nuk flasin me njëri-tjetrin as në stërvitje. Madje ruajnë një distancë të pakuptueshme. Që në fillimin e sezonit flitej se Leo Mesi nuk e pëlqeu aspak transferimin e Grizmanit dhe kjo gjë është duke u reflektuar në fushën e lojës. Leo Mesi i ka mohuar gjithmonë mosmarrëveshjet me Grizmanin, ndërsa ky i fundit e ka pranuar se të dy janë tipa që nuk flasin shumë dhe Leo është një lojtar që rri shumë i mbyllur në vetvete.

valverde

 VALVERDE

Trajneri Ernesto Valverde thotë se me Leo Mesin në fushën e lojës gjithçka është e mundur dhe kërkon që tifozët të bëjnë durim për Grizmanin. “Leo është madhështor. Shoqëron aksionet, i krijon vetë ato, nxjerr ekipin dhe shënon nga goditjet e dënimit. Jemi me fat që e kemi në skuadër. Ka shumë personalitet dhe udhëheq ekipin. Grizman? Duhet të bëjmë durim me të, por edhe me gjithë të tjerët. Duhet t’i mbështesim lojtarët kur janë në vështirësi”, tha trajneri.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"