Grezda lë Kombëtaren, ja arsyet që e detyruan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 13:55

Grezda lë Kombëtaren, ja arsyet që e detyruan

Eros Grezda nuk do të jetë në dy ndesh jet e radhës. Mesfushori i Gllazgo Rejnxhërs është larguar dytë ditë më parë me lejen e stafit kuqezi dhe arsyet kanë qenë dy: së pari, sepse nuk gëzonte një formë të mirë sportive. Kishte 5 muaj pa luajtur për shkak të një dëmtimi dhe ishte mbrapa me përgatitjet.

grezda

Ndërsa arsyeja e dytë ka të bëjë edhe me lejen e qëndrimit dhe të punës në Skoci. Grezda është ndër të paktët në radhët e Kombëtares që mund të ndryshojë edhe i vetëm ritmin e një ndeshjeje, për shkak të cilësive teknike që ka, ndaj edhe mungesa e tij i hap telashe Panuçit. Ky i fundit, me sa duket, nuk i ka bërë mirë llogaritë me listën…

PËRGATITJET Ekipi ynë Kombëtar i futbollit u ka dhënë fund përgatitjeve disaditore në kuadër të dy ndeshjeve me Izraelin dhe Skocinë që do luhen respektivisht sot në “Elbasan Arena” dhe pas tri ditësh në Skoci, që janë të vlefshme për turneun e Ligës së Kombeve.

Në kampin kuqezi gjithçka është gati, ka entuziazëm dhe pretendohet fitorja. Edhe pse kishte disa ditë në dispozicion për të vendosur, italiani ka ende dilema në kokën e tij që pritet t’u japë zgjidhje vetëm pak orë para përballjes me izraelitët. Pas dy miqësoreve të humbura në muajin qershor dhe paraqitjeve të dobëta të ekipit Kombëtar, Panuçi është i detyruar të mos merret me eksperimente dhe pritet t’u besojë lojtarëve të afirmuar, me qëllim që të sigurojë fitore ndaj Izraelit dhe të fluturojë disi më i qetë drejt Skocisë.

FORMACIONI

Edhe pse kuqezinjtë u dhanë fund përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës, trajneri Panuçi dhe stafi i tij ende nuk kanë një ide të qartë sa u përket titullarëve që do të zbresin nga minuta e parë sot ndaj Izraelit. Kjo, nisur nga ajo që ka provuar trajneri në fushën e lojës në çdo seancë stërvitore, ku ndryshimet kanë qenë të vazhdueshme. Në qendrën stërvitore ai ka pikasur me kujdes gjendjen dhe veprimet e çdo futbollisti që ka thërritur për këto dy ndeshje. Italiani dhe stafi i tij qëndrojnë me orë të tëra duke analizuar nëpërmjet filmimeve të siguruara gjatë seancave sërish formën e futbollistëve dhe ekzekutimit të ushtrimeve taktike. Edhe në seancën e fundit përgatitore, shefi i pankinës kuqezi i “shkartisi disa herë letrat”.

Pra, balotazhi qëndron ende prezent për disa pozicione, sikurse janë: qendra e mbrojtjes me Mavraj-Veseli, si dhe e majta e prapavijës me Binakun më i avantazhuar sesa Agolli. Por duke analizuar situatën në të cilën ndodhet italiani, me rezultate të dobëta, pritet që të mos ketë eksperimente, por t’u besojë lojtarëve që kanë eksperiencën mbi supe. Në këto kushte pritet që Shqipëria të startojë me Strakoshën në portë, Mavraj-Gjimshiti në qendër të mbrojtjes të mbështetur në krahë nga Hysaj dhe i riu Binaku, i cili ka qenë deri në fund të ditës së djeshme në balotazh me kapitenin Agolli.

Në mesfushë, ku edhe janë dilemat më të mëdha, Xhaka e Basha shihen ndër të sigurtët për fanellën e titullarit dhe më tej është Lilaj që ka disi më shumë kuota sesa Lila dhe Memushaj. Për të udhëhequr manovrën sulmuese, sidomos me aksionet që do të nisin nga kundërsulme, Hyka pritet të startojë nga e majta dhe Gavazaj nga e djathta në mbështetje të Sindrit Gurit, që shihet me më tepër shanse për titullar në krahasim me Balajn.

NISJA DREJT ELBASANIT

Pasi përfunduan me seancën e fundit stërvitore në orën 10:00 dhe drekuan në ambientet e resortit ku janë akomoduar, kuqezinjtë rreth orës pesë të pasdites së djeshme lanë Durrësin për t’u akomoduar në Elbasan, ku edhe sot do të zhvillohet përballja me Izraelin. Kuqezinjtë zhvilluan vetëm një seancë stërvitore dje, atë të paradites, e cila ndryshe nga ditët e tjera ishte shumë e ngarkuar me skema taktike, të cilat u perfeksionuan, me qëllim të realizohen me përpikëri sot ndaj izraelitëve. Fatmirësisht, përgatitjet shkuan sipas parashikimeve dhe asnjë prej lojtarëve të grumbulluar nuk pësoi lëndime.

OLSI TUJANI
LEONIDHA MUSAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"