Greku i Luftëtarit rrëfen jetën si emigrant në Gjirokastër: Shqipëria, si një… ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2018 | 22:54

Greku i Luftëtarit rrëfen jetën si emigrant në Gjirokastër: Shqipëria, si një… ëndërr

“Që të jemi të kënaqur duhet që të nd jekim atë që na thotë zemra dhe të shpresojmë që dhe trupi të na ndjekë pas”, kishte thënë dikur Graham Tejlor, trajneri 72-vjeçar që kishte drejtuar në kategoritë e ulëta të Anglisë, ndërkohë që kishte qenë për 3 vite edhe trajner i kombëtares së tij. Kështu ndoshta ka menduar edhe Kristos Athanasopulos, portieri me shumë eksperiencë, i cili luajti në kategoritë e ulë- ta të Greqisë dhe më pas vendosi të bëhet lojtari i parë grek që luan në kampionatin shqiptar.

Athanasopulos

Sipas fjalëve të Tejlor, portieri 36-vjeçar bëri diçka të jashtëzakonshme për steriotipet që kanë krijuar grekët si shoqëri. Normalisht do të ndodhte edhe diçka e tillë. Nuk janë të pakta rastet që të lindurit në Greqi sot kanë vendosur të marrin rrugën e kundërt që morën shqiptarët në vitet ’90: të emigrojnë për punë në Shqipëri. Por, në nivel futbolli profesionist dhe saktësisht kur bëhet fjalë për futbollist, kjo ndodhi për herë të parë. Athanasopulos që prej janarit të këtij viti luan për Luftëtarin, ekipin e Gjirokastrës. Teorikisht dhe praktikisht kjo ishte zgjedhja më e sigurt për një futbollist të lindur në Greqi, i cili vendos të emigrojë. Vetëm 20 kilometra nga kufiri dhe në një zonë ku minoriteti grek është i pranishëm, përshtatja e tij do të ishte më pak se thjesht e lehtë.

Mundësia e artë- E pranon edhe vetë ai me deklaratat e bëra për “newsbeast.gr”. Fakti që do të luante në Gjirokastër, që është një qytet shumë afër me qytetin e tij Janinën, sigurisht që luajti rol të rëndësishëm në vendimin që mori. Madje është më shumë afër me shtëpinë e tij. Por, çfarë ishte ajo që e bindi Kriston të zhvendosej në Shqipëri. “Çdo futbollist, kur i jepet mundësia që të shkojë në një ekip jashtë vendit të tij, cilido qoftë ky shtet, do ta pranonte sfidën. Për mua ishte një sfidë të luaj në Superligë, prandaj e mora këtë vendim.

Erdha këtu dhe falë Zotit pata të drejtë për këtë”. Athanasopulos u votua si portieri më i mirë në Grupin e Jugut të Football League në vitin 2013-2014, duke qenë lojtar i Iraklis Psahnon. Ndërkohë, në Greqi ai nuk ia doli të luante në nivelin më të lartë të futbollit. Nga ana tjetër, ekipi i Gjirokastrës, jo vetëm që luan ‘ në nivelin më të lartë të futbollit në Shqipëri, por në këtë moment ndodhet në vendin e tretë në kampionat dhe për shkak të dënimit të Skënderbeut (vendit të parë) nga UEFA, Luftëtari është shumë pranë për t’u kualifikuar në kupat e Europës.

athanasopulos

Për sa u përket ngjashmërive dhe ndryshimeve me Greqinë, ai thotë: Duke u bazuar mbi eksperiencën time, d.m.th në Football League greke, gjërat janë më mirë për sa u përket stadiumeve dhe kushteve, duke qenë se bëhet fjalë për nivel Superlige. Objektivat janë të tjera, por ndjesia që po ndjekim Europën është ajo që bën ndryshimin dhe duket si një ëndërr. Unë mundohem të bëj punën time. Jam profesionist dhe punoj ashtu si në Greqi çdo ditë dhe shumë fort. Kur më kërkohet nga trajneri që të luaj, jap më të mirën nga vetja për të fituar ekipi im”, tregon ai.

Se si po ia kalon në një vend të huaj dhe me çfarë mënyre e mbush ditën e tij përveç pjesës profesionale, ai përgjigjet: “Është pothuajse e njëjta jetesë me Greqinë. Qetësi… Shkoj për kafe, bëj shëtitje, d.m.th jetë normale. Në përgjithësi shoqëria është e qetë këtu”. Si në Greqi- Pyetjes nëse ka hasur ndonjë gjë të çuditshme që prej vajtjes në Gjirokastër (jeton brenda në qytet), Athanasopulos thekson se nuk ka pasur asnjë problem me përshtatjen, sepse pothuajse të gjithë flasin greqisht, prandaj nuk ka pasur asnjë problem me gjuhën dhe me njerëzit në përgjithësi.

“Njerëzit që takoj jashtë më flasin greqisht. Presidenti dhe drejtori sportiv flasin greqisht, shumë bashkëlojtarë flasin gjithashtu, prandaj është sikur të jem në Greqi”. Luftë- tari është një klub, në të cilin minoriteti luan rol të madh. Si për shembull njeriu që po investon në klub, Grigor Tavo, por edhe njeriu që merret me çështjet e transferimeve dhe organizimit të klubit, drejtori sportiv Vangjel Çavo janë grekë të Shqipërisë, me uri, merak dhe vizion dhe që këtë pasion e kanë përqafuar dhe pjesa shqiptare e zonës. Gjithashtu, ngjyrat bluzi të ekipit i mbajnë veshur lojtarë me karrierë të madhe në Greqi si Vasil Shkurtaj, Kristo Minga, Marko Aurelio dhe Xhekson Fereira. Atmosfera është harmonike dhe ndarjet etnike janë lënë mënjanë, me gjithë klimën e ndryshme që mund të ketë në qytete të tjera të vendit fqinj. Por Kristos, si grek, nuk iu desh të përballej me ndonjë problem as në qytete të tjera të Shqipërisë, kur shkoi për nevojat e ekipit të tij.

“Shkon për të luajtur ndeshjen tënde dhe s’ka asnjë problem. Çdo gjë është shumë mirë. Nuk kam parë ndonjë gjë të çuditshme, siç mund të mendojë ndonjë në Greqi. Kam parë qytete normale, me ritmin e tyre dhe ritmin e vendit që kanë”. Nëse është duke menduar qëndrimin e përhershëm në Shqipëri ose thjesht në Gjirokastër kur të ketë mbaruar karrierën e tij, ai përgjigjet: “Nuk e di ende se kur do të vijë koha për t’u larguar nga futbolli. Mund të jetë e largët akoma ajo ditë, por mund të jetë edhe e afërt… Kam qëllim të bëhem trajner portierësh, prandaj në fillim do të doja të isha pranë shtëpisë sime në Janinë, prej së cilës jam larg këto vitet e fundit”. Nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes krahasimi mes dy kampionateve.

“Ekipi im, duke u bazuar në organikën që ka në këtë moment, do të qëndronte në nivelin e Superligës në Greqi. Besoj se do të renditej në mesin e tabelës. Dy ekipe të tjera, siç janë Skënderbeu dhe Kukësi, do të mund të luanin gjithashtu në Superligën greke. Ekipet e tjera janë pak më lart se niveli i ekipeve të Kategorisë së Dytë greke. Ka shumë lojtarë me talent, të shpejtë dhe nëse dikush do të ndiqte kampionatin shqiptar, do të shikonte gjëra shumë interesante”, përfundon ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"